<

Okteti i violave në hollin e UART

Në kuadër të 60-vjetorit të krijimit të Shkollës së Lartë të Muzikës (ish Konservatorit dhe sot Fakultetit të Muzikës në Univeritetin e Arteve), po zhvillohen në ambjentet e këtij Universiteti një seri koncertesh (60 të tillë), duke sjellë para publikut një larmi tingujsh e performancash artistike nga studentë e pedagogë - një bashkëpunim si rrallëherë në këto përmasa.

Pas dy vitesh të gjata të izolimit nga pandemia Covid-19, kur e gjithë bota ‘mbajti frymën’, ashtu edhe vendi ynë e përjetoi këtë privim të lirisë në të gjitha dimensionet e jetës sociale, kulturore dhe artistike, kështu që këto koncerte në shkollën tonë ishin të mirëpritura dhe të shumëpritura pasi janë vërtet si një çlirim i frymëmarrjes së mbetur pezull.

Një mbrëmje e tillë, e mbushur me tinguj të ngrohtë si vetë viola, instrumenti që ishte kryefjala e këtij koncerti në hollin e UA, ishte pikërisht ai i datës 19 prill 2022, i ideuar me dashuri dhe profesionalizëm nga pedagogu i violës së këtij fakulteti Prof. Arian Paço. Një ide vërtet për t’u përshëndetur pasi Prof. A. Paço risolli para publikut ish-studentët e tij në vite, në një ansambël violash (nonet), një formacion i rrallë ky për skenën tonë koncertore, por edhe jashtë kufijve (mund të përmenden këtu dy ansamble (oktet) violash londineze të kohës, të drejtuara respektivisht nga Max Baillie dhe Roger Chase).

Noneti në fjalë (sipas rradhitjes së tyre në skenë) përbëhej nga Albana Kola, Albana Leka, Fatjon Muça, Ines Memisharaj, Alkena Shuteriqi, Flobens Zyma, Arian Paço, Gret Guçi dhe Arian Konçi.

Programi i përzgjedhur ishte pothuajse premierë për një formacion të tillë, duke nisur fillimisht me koncertin për ansambël violash në Sol mazhor, të kompozitorit gjerman të periudhës paraklasike që ka shkruar për këtë instrument G. PH. Telemann, një koncert që u soll me delikatesën e stilit barok, i destinuar për ansamblet e dhomës.

Andante nga sonata nr. 2 për violinë e J. S. Bach-ut (arr. nga R. A. Cohen), ishte si një vazhdimësi e kësaj natyre stilistike që i përket së njëjtës epokë, ardhur nga ansambli në fjalë nëpërmjet një tingëllim të unifikuar e harmonik, duke patur parasysh teknikën e përkorë të Bach-ut në sonatat dhe partitat e tij për hark. Programi kaloi më pas në suitën nga baleti “Arrëthyesi” (arr. nga K. Wreede) të kompozitorin të madh rus P. I. Tchaikovsky me kontrastet mes numrave respektivë të saj - uverturës, valles ruse “Trepak” dhe asaj arabe, të shpërfaqura plot efekte dhe dinamikë në lojën e nëntë violave, të cilat me temperamentin e tyre, e përfshinë në këtë atmosferë edhe publikun.

Pavana në fa# minor op. 50 e kompozitorit francez G. U. Fauré, një prej kompozitorëve më influencues të shekullit XX, është një nga faqet më të bukura të litraturës muzikore botërore e krijuar fillimisht për piano, por e gjeneruar në formacionin e plotë orkestral (dhe me kor, jo të detyrueshëm). Pikërisht ritmi që shoqëron melodinë, rrjedh nga vallëzimi i ngadaltë tradicional spanjoll, i cili përshkon një sërë piketash harmonike e melodike përmes trishtimit, ngjitjes kulminative dhe elegancës të ngjizura së bashku. E adoptuar për formacion violash (arr. nga S. Engano), Pavana tingëlloi e ngrohtë, plot me ngjyrimet që karakterizojnë narracionin e saj të pasur melodik.

Sërish një përzgjedhje nga P. I. Tchaikovsky, pikërisht Barcarrolle op. 37 (arr. R.A. Cohen) e cila u ‘pikturua’ nga ‘duart’ e violave me ngjyrimet lirike ‘të qershorit të trishtë e melankolik’, me shpërthimin ‘e shiut të rrëmbyeshëm pranveror’ në pjesën e mesit si dhe me rikthim në trishtimin final në përmbyllje të saj (karakteristikë çajkovskiane).

Tjetër atmosferë solli “Berberi i Seviljes” i G. Rossini-t, me dinamikën dhe lojën plot karakter edhe në linja solistike të evidentuara, të cilat nxorën në pah individualitetet dhe timbrikën e instrumentsitëve violistë.

Vepra e rradhës e kompozitori Endri Sina, e titulluar “Illyricum” (e krijuar në origjinal për orkestër simfonike) erdhi e përshtatur në një version të dedikuar për këtë formacion. Vepra në fjalë, me materialin tematik energjik e plot temperament, riktheu si një mirazh Ilirinë e lashtë dhe ‘rendjen’ e ilirëve në shekuj; rendjen e shqiptarëve drejt së ardhmes. Ky material, ishte konceptuar të kalonte në duart e violistëve edhe përmes ndërthurjes polifonizuese apo solistike të linjave kryesore udhëheqëse, ndërlidhur në koncept mes tonalitetit dhe atonalitetit, gjë që solli një kontrast të dukshëm edhe në lojën e ansamblit, i cili u përfshi në këtë situatë ‘ndryshe’, të rikthyer në fund sërish në ‘rendjen’ dhe dinamikën e fillimit.

Ndërsa, vepra e fundit që përmbylli këtë mbrëmje koncertore “The Altist” e kompozitorit G. Apparailly, ishte pikërisht një ‘happy-and’ i gjithë koncertit, pasi krijoi një gjallëri së pari në lojën e ansamblit (që u shoqërua edhe me pasthirrmë) duke e ndezur atmosferën në sallë.

Karakteristikë e vlertë e këtij formacioni ishte tingëllimi dhe loja e unifikuar që përcillej nga një instrumentist te tjetri, marrëdhënia dhe komportimi mes tyre, gjë që është çelësi i suksesit të ansambleve të dhomës, veçanërisht të përbërë nga i njëjti instrument. Ky koncert i klasës së violës në vite, ishte dëshmi e punës dhe përkushtimit të Prof. Arian Paços dhe ish-studentëve të tij (që janë sot pjesë e orkestrave më në zë të vendit apo e stafeve pedagogjike të shkollave të muzikës), të cilët dhuruan kënaqësi dhe emocione te publiku në këtë bashkëpunim brezash, duke shenjuar një natë të veçantë, nën tingujt e ngrohtë të një ansambli po kaq të veçantë.

I urojmë vazhdimësi këtij formacioni të ri dhe suksese të tjera në të ardhmen!


Dr. Holta Sina Kilica
Muzikologe, pedagoge në UA


FOTO GALERI


<<Kthehu - Tjetra>>