<

Doctor Honoris Causa - Prof. Birçe Hasko

Sot në ambientet e Universitetit të Arteve u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Doctor Honoris Causa” Prof. Birçe Haskos, pas akordimit të këtij titulli nga Senati Akademik i UART me vendimin Nr. 16 Dt. 10.03.2022, me motivacionin: “Pedagog dhe aktor i shquar i teatrit dhe i filmit shqiptar, me kontribut të madh e të jashtëzakonshëm në shkollën e artit skenik, interpretim të shkëlqyer të shumë figurave që ka realizuar e skalitur në teatër e kinematografi duke u bërë një nga aktorët më të dashur, si dhe shembull për të rinjtë që kanë zgjedhur të jenë e nesërmja e artit skenik e kinematografik shqiptar”.

Në ceremoni nderuan me praninë e tyre anëtarët e Senatit Akademik të UART, Z. Artan Hoxha - Rektor i Universitetit të Tiranës, Znj. Kseanela Sotirofski - Rektore e Universitetit të Durrësit, Dekanët e të tri fakulteteve të UART, ish Pedagogët e UART Z. Timo Flloko e Z. Mevlan Shanaj, ish studentë të Prof. Birçe Haskos, pedagogë e studentë të Fakultetit të Artit Skenik, familjarë, miq e dashamirës të profesorit.

Ceremonia u hap nga Rektori i UART, Prof. Kastriot Çaushi, i cili i njohu të gjithë të pranishmit me Vendimin e Senatit Akademik të UART dhe foli për punën dhe figurën e Prof. Birçe Haskos. Më pas paraqitën reçencat e tyre dy relatorët e ngarkuar nga Senati Akademik i UART, Prof. Petrit Malaj – Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, si dhe Prof. as. Alert Çeloaliaj.

Më tej, Rektori i UART, Prof. Kastriot Çaushi, i dorëzoi Prof. Birçe Haskos Diplomën “Doktor Honoris Causa” si dhe targetën ceremoniale të realizuar për këtë rast.

Fjala e fundit ishte ajo e Prof. Birçe Haskos i cili mes emocioneve falënderoi propozuesit e këtij titulli, anëtarët e Senatit Akademik për vendimin e akorduar dhe të pranishmit për pjesëmarrjen.

Pas fotografive të rastit me profesorin e nderuar vijoi një takim i ngrohtë, kryesisht me studentët e Fakultetit të Artit Skenik të cilët e kishin rrethuar dhe bisedonin me të. Ishte një ditë e bukur për të gjithë.


FOTO GALERI

 

<<Kthehu - Tjetra>>