<

Ura me Tri Harqe

Në datat 26 dhe 27 Maj 2022, pas një ndërprerje dy vjeçare për shkak të pandemisë, në Universitetin e Tetovës u zhvillua edicioni i XVI i manifestimit kulturor “Ura me tri harqe”.

Ky aktivitet tradicional është një projekt i përbashkët që u organizua nga Universiteti i Tetovës në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës. Ky manifestim kulturor, përpos arritjeve të studentëve tanë në fushat e ndryshme të artit, shërbeu edhe si një tribunë e rrahjes së mendimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave midis pedagogëve dhe studentëve të institucioneve tona arsimore.

Universiteti i Arteve u prezantua në këtë manifestim me studentët Fjorela Xhaferaj dhe Tedi Drazhi nga Fakulteti i Muzikës, Mauro Zaçe nga Fakulteti i Artit Skenik, Erlind Fusha nga Fakulteti i Arteve të Bukura si dhe pedagogët Prof. Arian Paço, Eno Milkani dhe Artan Buca.

Para çeljes së manifestimit kulturor, Zëvendës Rektori për Arsim në Universitetin e Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti priti në një takim miqësor Zëvendës Rektorin e Universitetit të Arteve të Tiranës, Prof. Arian Paço, Dekanin e Fakultetit të Arteve të Prishtinës Prof. Hazir Haziri dhe Dekanin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Nafi Jashari.

Gjatë takimit u vu në dukje se manifestimi tradicional, kulturor “Ura me tri harqe” është mirëpritur prej vitesh për të krijuar një qasje shumëdimensionale të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive, që lidhen me fushat e artit figurativ, muzikor dhe dramatik, e cila po ashtu inkurajon dialog me universitetet, studentët dhe publikun e gjerë.

Njëkohësisht, ky aktivitet krijon lidhjen e ndërsjellët të kulturës kombëtare përmes arritjeve të artistëve të rinj të tre institucioneve të mëdha arsimore mbarëshqiptare.


FOTO GALERI

 

<<Kthehu - Tjetra>>