<

Koncerti Gala me rastin e 60 Vjetorit të krijimit të FM

Ditën e hënë datë 30.05.2022, në sheshin përpara Universitetit të Arteve, me rastin e 60 Vjetorit të krijimit të Fakultetit të Muzikës, u zhvillua Koncerti Gala me pjesëmarrjen e pedagogëve, korit dhe orkestrës së këtij fakulteti.

Të pranishëm në këtë Koncert Gala ishin edhe Rektori i Universitetit të Arteve Prof. Kastriot Çaushi, Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti, Kryetari i bashkisë së Tiranës Z. Erion Veliaj, përfaqësues të Trupit Diplomatik, studentë pedagogë dhe artdashës të kryeqytetit.

Fillimet e Fakultetit të Muzikës datojnë më 15 Janar të vitit 1962, në fillimet e tij si Konservatori Shtetëror i Tiranës, katër vite më vonë, më 04.05.1966, me bashkimin e tre shkollave të larta artistike të pavarura, shkolla e Dramës “Aleksandër Moisiu”, shkolla e Arteve Pamore dhe Konservatorit, si pjesë e Institutit të Lartë të Arteve, më vonë e Akademisë së Arteve dhe sot e Universitetit të Arteve.

Koncerti u hap me krijimin e kompozitorit Limoz Dizdarit “Fjalët e Qiririt” i cili u interpretua nga pedagogu i këtij fakulteti, Kastriot Tusha i cili u shoqërua nga orkestra filarmonike nën drejtimin e dekanit të këtij fakultetit, Isak Shehu.

Më pas fjalën përshëndetëse e mori Rektori i Universitetit të Arteve Z. Kastriot Çaushi i cili në fjalën e tij nënvizoi edhe një herë kontributin e madh që ky Fakultet dhe pedagogët të këtij fakulteti, kanë dhënë në edukimin e artistëve të rinj ndër vite dhe në zhvillimin e jetës artistike kulturore të vendit.

Me këtë rast u akordua edhe titulli “Profesor Emeritus” për ish pedagoget e nderuara të këtij fakulteti, Prof. Margarita Kristidhi (Milkani) dhe Prof. Hamide Stringa. Titulli “Mirënjohje” për ish pedagogët Fatos Jaho (pas vdekjes), Andrea Canaj (pas vdekjes), Viktor Shiroka (pas vdekjes), Kristofor Qorri, Edison Miso, Zef Çoba, Haig Zacharian, Gjon Simoni (pas vdekjes), Suzana Frashëri, Gaqo Çako (pas vdekjes), Agim Duro, Dije Laro (Kraja), Muharrem Denisi, Suzana Turku Kashara.

Titujt u shpërndanë nga Rektori i Universitetit Z. Kastriot Çaushi, Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti, Kryetari i Bashkisë Z. Erjon Veliaj dhe Dekanët e Fakulteteve të Universitetit të Arteve Isak Shehu, Petrit Malaj, Artan Peqini etj.

Ma pas Koncerti Gala vazhdoi me interpretimin e veprave nga autorët Vangelos, Tonin Harapi, Donizetti, Tre Skica për kuartet harqesh nga kompozitori Tonin Harapi luajtur nga kuarteti “ILA 1974” Papadhimitri, Sulkuqi, Kanani, Tanto dhe në fund u mbyll me fantazinë për piano, solist dhe orkestër, vepër e kompozitorit L.V. Beethoven, me solistë pedagogen e këtij fakulteti, pianisten Merita Rexha dhe solistët vokalë M. Kurti, A. Kerhani, F. Pjetri, A. Istrefi, A. Kovaçi dhe E. Sherri, vepër kjo e drejtuar ashtu si dhe pjesa tjetër e koncertit nga dirigjentja e mirënjohur Suzana Turku Kashara- Artiste e Merituar.


FOTO GALERI

 
<<Kthehu - Tjetra>>