<

Nderojmë të shkuarën tonë

Në përmbushje të misionit tonë si kultivues, ruajtës dhe promovues të kulturës kombëtare, sot në ambientet e Universitetit të Arteve, Fakulteti i Artit Skenik në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës organizoi një përkujtimore për një nga figurat themeluese të shkollës së aktorëve dhe regjisorëve, regjisoren e parë shqiptare, aktoren dhe pedagogen Znj. Drita Agolli.

Në Hollin Kryesor të UART, pjesëmarrësit u pritën nga fjala hapëse e Dekanit të FAS, Prof. Petrit Malaj, i cili pas vlerësimit të ish pedagoges së nderuar të shkollës sonë prezantoi edhe projektin afatgjatë të integrimit në kurrikulat e Historisë së Regjisurës në FAS të leksioneve për jetën dhe veprën e atyre aktorëve dhe regjisorëve që i dhanë trajtë shkollës sonë dhe tonin jetës artistike teatrore të vendit.

Më pas, Ministri i Kulturës, znj. Margariti, pas fjalëve për figurën e Znj. Drita Agolli, i njohu të pranishmit me bursën homonime për studentët e programit të Regjisë . Më pas folën e rikujtuan Znj. Drita Agolli edhe ish studentë të saj. Kjo pjesë e parë u mbyll me shpërndarjen e librit autobiografik të saj, titulluar "I paemri".

Veprimtaria më pas u zhvendos në Sallën e Lektoriumeve UART, ku u prezantuan dy kumtesa të shkurtra nga Prof. Dr. Josif Papagjonit dhe Dr. Anxhela Çikopano për jetën edhe punën e Znj. Drita Agolli. Duke ndjekur një dokumentar të shkurtër për të, realizuar pak kohë më parë, pjesëmarrësit e mbyllën përkujtimoren duke sjellë kujtime të ndjera në nder të kësaj figure flamurtare si grua, regjisore dhe pedagoge.

Për Fakultetin e Artit Skenik, shfaqja në dritën e duhur të figurave të tilla është imperativë parësore dhe ne do të shihemi së bashku në të tjera organizime të kësaj natyre.


FOTO GALERI

 

<<Kthehu - Tjetra>>