<

Ansambli i Jazz-it i Universitetit të Arteve

Mbrëmë në hollin e Universitetit të Arteve u zhvillua një koncert tejet i veçantë nga Ansambli i Jazz-it ngritur në Fakultetin e Muzikës. Ky koncert është një tregues shumë domethënës ku aktiviteti akademik shkrihet me jetën koncertale në nivel profesional. Prej disa vitesh ky formacion muzikor është pjesë e organizimeve më të rëndësishme për muzikën Jazz në Shqipëri. Studentët e këtijë ansambli, së bashku por edhe individualisht, kanë qënë pjesë e disa projekteve ndërkombëtare si: trajnime, orkestra Jazz-i të rinjsh, rezidenca artistike dhe Festivale Jazzi shumë prestigjozë të organizuara brenda ose jashtë vendit. Në kohën e pandemisë kur e gjithë bota ishte e mbyllur dhe organizimet artistike ishin shumë të rralla, ky “Jazz Ansambël” ka performuar në “Nišvville Jazz Festival” në Serbi si pjesë e projektit “Jain” mbështetur nga programi “Creative Europe”. Ky festival në Serbi, është ndër më të mëdhenjtë dhë më të rëndësishmit për muzikën Jazz-it në Evropën Jug-Lindore.

Me këtë CV kaq të pasur, muzikantët e këtij grupimi vijnë si bërthama e “Tirana Youth Jazz Orchestra”. Ky projekt u shpall fitues mes qindra projekteve të paraqitura në “Kongresin Rinor Kombëtar” në kuadër të “Tirana Youth Capital”.

“Tirana Youth Jazz Orchestra” është formacioni më i ri i muzikës Jazz i krijuar në Tiranë. Interesante është se ky farmacion, ka në përbërjen e vet studentë të Fakultetit të Muzikës, dhe studentë nga universitete të ndryshme të evropës. “Tirana Youth Jazz Orchestra” ka një aktivitet të ngjeshur koncertal brenda dhe jashtë vendit sipas një kalendari të mirëpërcaktuar. Ideator të këtijë projekti janë Pedagogë të “Fakultetit të Muzikës” në bashkëpunim me partnerë të tjerë artistik si: “Albanian Jazz Society”, “Syri Blu”, “Jazz in Albania Festival”, me mbështetjen e Ambasadave të vendeve të Evropës si Ambasada Gjermane, Greke, Franceze, Spanjolle, etj. dhe në bashkëpunim me Departamentet Jazz-it në disa Universitete si: “Folkwang Universität der Künste” - Gjermani, “Goce Delecev University” - Maqedonia e Veriut, “Ionian University” - Greqi etj.


<<KthehuTjetra>>