<

Ura me Tri Harqe, Edicioni XV

Nga data 22-23 Maj 2025, në qytetin e Tetovës, u zhvillua edicioni i XV–të, i manifestimit kulturor “Ura me tri harqe”.

Ky aktivitet është kthyer tashmë në një manifestim mbarë kombëtar për studentët dhe pedagogët e tre institucioneve të arsimit të lartë publik, Universitetit të Arteve të Tiranës, Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Bashkëpunimi i suksesshëm për XV edicione, shkëmbimi i përvojave artistike dhe akademike, dëshmon për punën e palodhur që bëhet në këto institucione dhe sfidat që arti shqiptar kalon. Njëkohësisht, ky aktivitet iu jep zë e kurajë krijuesve të rinj në hapësirën mbarëkombëtare në një përballje dinjitoze mes tyre, si mënyra më e mirë për t’u rritur profesionalisht, për të njohur njëri – tjetrin dhe për të kontribuar në zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare.

Kalendari i aktiviteteve të këtij manifestimi filloi me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Arteve në Tiranë dhe Universitetit të Tetovës. Në ceremoninë e nënshkrimit, morën pjesë: Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektor për Shkencë, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftjari, Prorektore për Financa, Prof. Ord. Senad Abduli, Dekan i Fakultetit të Arteve, Doc. Dr. Hatibe Deari – Zeqiri, Përgjegjëse e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dhe Prof. Ord. Agron Bytyqi nga Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në emër të Universitetit të Arteve, marrëveshja u firmos nga Prof. Arian Paço, Zëvendësrektor për projektet dhe kërkimin shkencor.

Më pas, aktiviteti vazhdoi me ekspozitën e arteve pamore, koncertin muzikor, shfaqjet teatrale dhe filmat me metrazh të shkurtër. Në këtë manifestim Universiteti i Arteve u përfaqësua me studentët Oneila Llanaj, Aldrin Biba, Greta Zani, Rei Kita, Enea Trimi, Sidrit Vraniçi, Enerest Dalipaj, Alesio Agjaku, Megi Bregu, Mauro Zaçe si dhe nga pedagogët Prof. Asoc. Silvana Skënderi, Zv. Dekane e Fakultetit të Muzikës, Prof. Miltiadh Kutali, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik si dhe të artistit të mirënjohur Prof. Gazmend Leka.

Me mjaft interes u ndoq leksioni i Prof. Gazmend Leka me temë: Baladat dhe legjendat shqiptare “Përqasjet me mendimin mitik të popujve të tjerë” në ambientet e "Europe House" në Tetovë.

Ky manifestim dëshmoi edhe një herë se arti dhe kultura janë ura që lidhin njerëzit, ura që promovojnë artin dhe kulturën në të gjitha format e tyre në hapësirën mbarë shqiptare.


FOTO GALERI




 

<<Kthehu - Tjetra>>