Amfiteatri Veror

Amfiteatri i Universitetit të Arteve është një hapesirë shumëfunksionale që ka si qëllim kryesor përmbushjen e programit mësimor të studenteve të këtij institucioni. Ky amfiteatër gjendet në një mjedis të hapur në pjesën Veri-Lindore të godinës së Universitetit të Arteve dhe kufizohet me godinën e Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Sheshin "Nënë Tereza" dhe Rektoratin e Universitetit të Arteve.

Amfiteatri, i ndërtuar në periudhën 2007-2008, ka një kapacitet prej 501 vendesh dhe një infrastrukturë mjaft të kompletuar qe lejon instalimin e pajisjeve të ndricimit apo ato audio-vizuale. Pozicioni i tij paksa i shkëputur nga pjesa tjetër e godinës së Universitetit të Arteve, duke qendruar në një largësi optimale nga klasat e mësimeve dhe zyrat, e bën këtë hapësire ideale për zhvillimin e një larmie të madhe aktivitetesh. Ky amfiteatër mund të jetë funksional në çdo ditë të vitit por, meqenëse është i ekspozuar ndaj agjentëve atmosferikë, periudha më e përshtatshme e shfrytëzimit të tij do të ishte mars-prill deri në tetor-nëntor.

Vetë ndërtimi, emërtimi dhe akustika e i tij, sugjeron si përdorim parësor aktivitetet skenike, si teatrin, baletin, operan dhe aktivitete koncertore. Përveç këtyre është gjithashtu mjaft i volitshëm për t'u përdorur si eksponant për nevojat e ndryshme të artisteve plastikë përfshirë pikturën, skulpturën, qeramikën, tekstilin dhe instalacione të tjera të mundshme. Një tjetër përdorim i tij është edhe mundesia për t'u përdorur si një ambient multimedial, për projektimin e filmave apo punëve të tjera të kësaj kategorie. Ky amfiteater eshtë testuar me sukses si kinemaja e vetme verore funksinale në qytetin e Tiranës. Më tej, kjo hapësirë mund të përdoret si sallë lektoriumesh, seminaresh, workshopesh dhe orësh mësimore të hapura.

Nuk duhet lënë pa përmendur se Universiteti i Arteve ka një aktivitet të ngjeshur jo vetëm akademik, por edhe administrativo-institucional. Në këtë kuadër, amfiteatri mund të shërbejë fare mirë si plotësues i nevojave administrative të institucionit, për mbledhje të hapura, takime, ceremoni festive e përkujtimore. Gjithashtu, siç e thamë edhe më lart, duke qenë se amfiteatri është paksa i shkëputur nga pjesa tjetër e godinës, dhe me hyrje më vete, është një hapësirë e shkëlqyer promocionale në cfarëdolloj kohe, sepse cfarëdolloj fluksi vizitorësh nuk do të mund të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit mësimor, edhe në periudhat më të ngarkuara.

Të gjitha këto vecori që përmendëm deri tani, i shtojnë edhe një aset tjetër Amfiteatrit të Universitetit të Arteve. Dhe ky është përdorimi i tij nga palët e treta, me të gjithë gamën e mundësive të sapo-parashtruara.


Ju ftojmë të vizitoni Universitetin e Arteve, amfiteatrin e saj, dhe gjithë aktivitetet e larmishme gjithë-vjetore që zhvillon stafi i saj studentor-pedagogjik.