<

Prof. Kozma Lara

Me datë 18 Janar 2019 u nda nga jeta Prof. Kozma Lara, i fundit nga të mëdhenjtë themelues të muzikës shqiptare.

Kozma Lara ishte një prej krijuesve të mirënjohur të brezit të kompozitorëve themelvënës të artit muzikor kombëtar, i cili u nda nga jeta më 18 janar 2019. I shkolluar në Konservatorin "Pjotër Iliç Çajkovski", në Moskë, në degën e kompozicionit, nën drejtimin e Prof. Sergey Artem'yevich Balasanian në vitin 1958, K. Lara do të kthehej në atdhe për të përfunduar studimet e ndërprera me ish-BRSS, nën drejtimin e Ç. Zadejës. Pas mbarimit të studimeve dhe deri në vitin 1979, ka dhënë kontributin e tij në njësërë institucionesh të tilla si: në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operës dhe Baletit (si koncert-maestër), në shkollën e mesme të muzikës "Mujo Ulqinaku" Durrës; gjithashtu ka kontribuar si pedagog i Analizës dhe Kompozicionit e, njëkohësisht, Shef i Katedrës së Kompozicion-Dirigjimit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës sot Universiteti i Arteve dhe si specialist për Muzikën në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Prej vitit 1979 e, më pas, rikthehet si pedagog i Analizës dhe Kompozicionit dhe shef i Katedrës së Teori-Kompozicionit në Fakultetin e Muzikës në Institutin e Lartë të arteve (sot UART). Prej vitit 1995 e më tej, edhe pse në pension, ka kontribuar si pedagog i jashtëm në lëndën e Analizës së Formës dhe Kompozicionit në Universitetin e Arteve, Tiranë.

Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, gjithashtu President i Shoqatës muzikore "Tonin Harapi" si dhe themelues i Festivalit të Romancës Shqiptare, aktivitet që është rikthyer dhe vazhdon me sukses edhe sot. Krijimtaria e tij përmban një opus të gjerë veprash, duke prekur pothuajse të gjitha gjinitë muzikore. Veçohen mes tyre veprat pianistike, koncertale, për orkestër e muzikë dhome. Një prej veprave të tij më të realizuara profesionalisht është Simfonia nr. 1 në fa -, vepra e trete (pas simfonisë së Ç. Zadejës dhe të A. Grimcit) në arradhën e veprave simfonike shqiptare të shkruara në mesin e shek. XX. Duke zotëruar në mënyrë mjeshtërore instrumentin e pianos, është shumë evident kontributi i tij pikërisht në muzikën pianistike, me njësërë veprash të tilla si: sonata, balada, rapsodi, albume e cikle pianistike, koncerte si dhe shumë të tjera. Disa nga veprat e tij janë vlerësuar me çmime ndër vite, në aktivitete të ndryshme si në Dekadat e Majit, festivale kombëtare, konkurse etj. Edhe në fushën e kritikës, publicistikës dhe shkrimeve akademike janë të shumtë artikujt dhe studime për vepra apo veprimtari muzikore ndër vite si dhe botimet në fushën e tij të preferuar të analizës së formës me botimet: Analiza e veprave muzikore, për shkollat e mesme të muzikës dhe Analiza e veprave muzikore për Universitetin e Arteve. Për punën dhe kontributin e tij në muzikën dhe pedagogjinë shqiptare, Kozma Larës i janë akorduar njësërë titujsh: Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të II, Profesor, çmimi i Karrierës, Nderi i Qytetit të tij të lindjes, Durrësit etj.

Pergatiti: Holta Sina


<<Kthehu - Tjetra>>