<

Marrëveshja, rikonstruksioni i Sallës së Koncerteve

Me datën 3 Korrik 2019, në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve, në prani të pedagogëve dhe studentëve të këtij universiteti, u nënshkrua marrëveshja kuadër për rikonstruksionin e plotë të Sallës së Koncerteve midis përfaqësuesve më të lartë nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë, Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim – Zyra Tiranë dhe Universitetit të Arteve.

Salla e Koncerteve është pjesë e godinës së UART, projektuar nga arkitekti Gherardo Bosio dhe ndërtuar në vitet 1939-1941. Kjo godinë, si pjesë e trashëgimisë kulturore, është pjesë e një ansambli më të gjerë arkitekturor ku bëjnë pjesë Universiteti Politeknik, Kolonada me Institutin Arkeologjik, Rektoratin dhe Stadiumi.

Si një nga sallat më të mira dhe më kryesore, ajo zë një vend të rëndësishëm ne historikun e zhvillimeve kulturore, artistike dhe sociale në vendin tonë. Për këtë arsye, restaurimi dhe rinovimi i saj kërkon vëmendjen e duhur dhe një ekspertizë të veçantë teknike.

Puna për restaurimin e sallës do të ndahet në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me studimin e fizibilitetit, projekt idenë, vlerësimin paraprak dhe do të kryhet nga Universiteti i Firences dhe partnerët përkatës vendor të pajisur me licencën përkatëse dhe të vlefshme në bazë të kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Faza e dytë ka të bëjë me projektin e detajuar për restaurimin dhe rikonstruksionin e sallës, që do të kryhet nga Universiteti i Firences, në bazë të lidhjes së një kontrate me institucionin/subjektin teknik të përshtatshëm, të licensuar, në bazë të rezultateve dhe udhëzimeve të studimit të fizibilitetit, me këshillimin teknik të AICS, dhe miratimin përfundimtar nga TAP.

Investimi i parashikuar në këtë marrëveshje kuadër është me rëndësi strategjike për zhvillimet artistike kulturore në Shqipëri, pasi është në përfitim jo vetëm të studentëve të Universitetit të Arteve por edhe për të gjithë publikun artdashës shqiptar.

Marrëveshja u nënshkrua nga:

Znj. Elva MARGARITI, Ministre – Ministria e Kulturës
Z. Ilir BEJTJA, Zv. Ministër - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Z.Kastriot ÇAUSHI, Rektor - Universiteti i Arteve Tiranë
Z. Nino MEROLA, Përfaqësuesi nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim – Zyra Tiranë
Z. Malfor NURI, Drejtor - TAP AG për Shqipërinë


<<Kthehu - Tjetra>>