Broshura FAB

Departamenti Pikturë

Departamenti Pikturë ofron programe studimi të ciklit të parë në përfundim të cilave lëshon Diploma si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë Bachelor në Pikturë Kavaleti
  2. Diplomë Bachelor në Pikturë Monumentale


Departamenti Pikturë ofron programe studimi të ciklit të dytë në përfundim të cilave lëshon Diploma si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë “Master i Arteve” në Pikturë Kavaleti dhe Mësuesi
  2. Diplomë “Master i Arteve” në Pikturë Monumentale dhe Mësuesi


Programi i Studimit Pikture Kavaleti 

Në programin e Pikturës, për Ciklin e Parë të Studimeve BA, objektiv kryesor është formimi i kompetencave artistike dhe profesionale të kualifikuara të studentit, që merr në konsideratë pluralizmin e gjuhës, përtëritjen e teknikave, si dhe respekton e nxit kërkimin e tij vetjak. Një vëmendje e veçantë i kushtohet sa teknikave tradicionale aq edhe gjuhëve të reja të shprehjes artistike. Puna në atelier bazohet kryesisht në realizimin e projekteve, të cilat bëhen shkak për të dalë në analiza, diskutime dhe trajtime teorike më të përgjithshme.

Cikli formues dy-vjeçar MA, konsiderohet i dobishëm për të thelluar njohuritë e fituara në Ciklin e Parë BA dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të drejtë e logjike mes disiplinave të ndryshme të artit, me synimin për të rrokur lidhjen mes traditave gjuhësore dhe atyre më të reja. Toleranca krijuese është kusht i domosdoshëm për krijimin e një procesi interaktiv, në shërbim të krijimit të një atmosfere sa më të shëndetshme artistike. Në përfundim të këtij programi dy-vjeçar, studenti mbron diplomën me një projekt konkret në një nga teknikat e trajtuara prej tij gjatë dy viteve, e përzgjedhur nga pedagogët në procesin e punës, duke patur parasysh prirjen individuale të secilit. Të diplomuarit e këtij programi mund të zhvillojnë aktivitet profesional në fronte të ndryshme, si në krijimtarinë e lirë, ashtu edhe në fusha të ndryshme estetike dhe artistike të komunikimit pamor.

Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë. Edhe në këtë program në të dy nivelet e studimit pjesë shumë e rëndësishme është përgatitja e çdo studenti me mjetet e duhura profesionale e artistike për tu përshtatur edhe me tregun e punës. 


Programi i Studimit Pikture Monumentale

Programi i atelierit të Pikturës Monumentale zhvillohet në dy drejtime bazë, Pikturë Murale dhe Pikturë në Transparencë.

Ky program në nivelin Bachelor ofron njohuri mbi procese artistike, që kanë të bëjnë me integrimin e veprës së artit në arkitekturë, në mjedise të jashtme dhe të brendshme. Po ashtu, konsiston në zhvillimin e proceseve krijuese të studentit, duke e pasuruar gjuhën pamore me mjete e teknika alternative e bashkëkohore të shprehjes artistike.

Programi i nivelit Master është i orientuar në thellimin e studimeve të edukimit artistik, me nivel më të lartë profesional, ku përparësi mbetet kreativiteti i orientuar drejt fenomeneve, risive apo prurjeve artistike bashkëkohore. Programi zhvillon potenciale profesionale duke evidentuar specifikat individuale të studentëve.

Piktura Monumentale bashkëshoqëron zhvillimet socio-ekonomike e urbane në sintezë me arkitekturën, ku larmia e teknikave të aplikimit të këtij arti integrohet si një proces pamor unik e me impakt të spikatur publik. Këto njohuri e bëjnë studentin të angazhuar në sfida e veprimtari konkrete si dhe të aftë e të aksesueshëm në tregun e punës.

Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë.