Broshura FAB

Departamenti Arte të Aplikuara

Departamenti Arte të Aplikuara ofron programe studimi të ciklit të parë në përfundim të cilave lëshon Diploma si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë Bachelor në Pikturë Grafikë
  2. Diplomë Bachelor në Pikturë Tekstil dhe Modë
  3. Diplomë Bachelor në Pikturë Multimedia
  4. Diplomë Bachelor në Fotografi


Departamenti Arte të Aplikuara ofron programe studimi të ciklit të dytë në përfundim të cilave lëshon Diploma si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë “Master i Arteve” në Pikturë Grafike dhe Mësuesi
  2. Diplomë “Master i Arteve” në Pikturë Tekstil & Modë dhe Mësuesi
  3. Diplomë “Master i Arteve” në Pikturë Multimedia dhe Mësuesi


Programi i studimit Pikturë Grafikë

Programi i Atelierit të Grafikës zhvillon Grafikën e Lirë dhe Dizajn Grafik.

Në nivelin Bachelor ai synon ta njohë studentin me përbërësit bazë të grafikës (të lirë dhe industriale), si në aspektin teorik ashtu edhe në atë tekniko-praktik, nëpërmjet edukimit të studentëve me mjetet shprehëse të grafikës dhe respektimit të individualitetit të tyre. Pjesë shumë e rëndësishme e Programit është përgatitja e çdo studenti me mjetet e duhura profesionale e artistike për tu përshtatur me kërkesat dhe diversitetin e shumtë të tregut të punës.

Programi i nivelit Master është i orientuar në thellimin e studimeve mbi specialitete të caktuara të artit grafik, duke i dhënë mundësinë studentit të aplikojë dhe njohë teknika të specializuara, që i shërbejnë në formimin profesional për çështje dhe interesa të qarta në lidhje me punësimin. Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë.

Shumë nga pjesët e programit zhvillojnë kuptimin e biznesit, njohuritë dhe aftësitë profesionale, kualifikimin didaktik dhe pedagogjik, duke nxitur kështu komunikimin në grup. Pjesë praktike të programit synojnë përshtatjen e studentit me tregun dhe kontaktin me vetë punëdhënësin e mundshëm. 


Programi i studimit Tekstil & Modë

Misioni i këtij atelieri është të ndërtojë tek studentët një formacion artistik, i cili më pas do t’u sigurojë atyre aftësitë për të ecur në rrugën e artit dhe të komunikimit pamor. Baza e atelierit është kreativiteti dhe mbështetja e ideve të reja.

Në Ciklin e Parë të Studimeve (Bachelor), nëpërmjet mësimdhënies, konceptuar si një proces komunikimi krijues midis pedagogëve e studentëve, krijohet mundësia për të njohur e studiuar historinë e zhvillimin e artit të tekstilit, historinë dhe zhvillimin e veshjes, historinë dhe mundësitë e krijimit dhe aplikimit të dizajnit të veshjes (fashion design).

Respektimi dhe njohja e individualitetit dhe prirjeve të studentëve hap rrugën për ndërtimin e programeve specifike me ta. Procesi artistik dhe dizajni krijues nuk janë qëllim në vetvete. Krijuesi (studenti) aftësohet të analizojë të gjithë parametrat e një problemi të dhënë në fushat ku specializohet, të propozojë zgjidhje dhe të jetë i përgatitur për tregun e punës.

Në Ciklin e Dytë të Studimeve (Master) synohen studime të thelluara nëpërmjet ngritjes së një projekti specifik të fushës. Programi ofron rrugë e shtigje të specializuara për të thelluar dijet ekzistuese, si dhe për të dhënë përvojën e nevojshme se si funksionohet në industrinë e tekstilit dhe modës. Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë. 


Programi i studimit Multimedia 

Në këtë atelier, idetë dhe koncepti janë dy operatorët kryesorë që vënë në lëvizje formën e të arsyetuarit. Ajo që ne ofrojmë është interpretimi i fenomeneve që na rrethojnë. Mundësitë ku ne kanalizojmë shprehjen janë mediume të ndryshme, që nga konteksti i vetë idesë si një realitet i pavarur e deri në kanalizime të tjera të hapura në bazë eksperimentesh, si: pikturë, fotografi, video, instalacion, performancë etj.

Në Ciklin e Parë (Bachelor) synohet, që studenti të zotërojë dijet dhe gjuhët e reja të lëndës, gjithnjë me prirjen drejt artit bashkëkohor. Kështu ai/ajo merr bazat për një komunikim sa më të qenësishëm me realitetin që e rrethon. Edhe në këtë program pjesë shumë e rëndësishme është përgatitja e çdo studenti me mjetet e duhura profesionale e artistike sidomos në mediumet që gjejnë hapsirë në tregun e punës.

Programi dy-vjeçar i nivelit Master është orientuar drejt studimeve të specializuara, duke i dhënë mundësinë studentit të zotërojnë një informacion të plotë dhe të avancuar të karakterit poetiko-ekspresiv dhe tekniko-operativ në rritje për sa i takon shprehive dhe zhvillimeve kulturore. E gjithë kjo, për të kryer me sukses figurën profesionale të studentëve, gjë që do t’u shërbejë si nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo e punësimit. Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë.


Programi i studimit Fotografi

Programi i fotografisë është programi më i ri në Departamentin e Arteve të Aplikuara.

Në Nivelin e Parë të Studimeve Bachelor, Fotografia është një program intensiv që synon të nxjerrë në pah aktivitetin kreativ nëpërmjet kërkimeve dhe eksperimentimeve vetjake. Ky program synon ta percaktojë fotografinë si një medium teknik, konceptual dhe estetik, si dhe të shpjegojë ndryshimin që ka pësuar që prej fillesave të saj. Programi bën të mundur që studentët të realizojnë potencialin e tyre kreativ dhe u jep mundësinë për një karrierë të mëvonshme në fotografinë profesionale.

Duke mbajtur në konsideratë faktin se fotografia i ka rezervuar vetvetes një pozicon të privilegjuar në tregun e punës dhe duke ditur se fotografia është si një hallkë ndihmuese për shumë fusha të tjera, programi synon t’i pajisë studentët me aftësinë per t’u ndjerë artistikisht dhe teknikisht të aftë për të përballuar sfidat e tyre profesionale. Qëllimi përfundimtar i programit të fotografisë është që studentët të jenë të aftë të përkthejnë njohuritë teknike dhe artistike të përfituara në një gjuhë të komunikimit pamor me atë çka i rrethon.

Gjithashtu studentët aftësohen të praktikojnë fotografinë komerciale, si fotografia e shtypit, editoriali i revistës, fotografia e koorporatës, fotografia e modës, fotografia e reklamës, fotografia e produktit, fotografia në shërbim të dizajnit etj.

Programi i Fotografisë nuk ofrohet ende në Nivelin e Dytë të Studimeve Master, por në Departament po punohet për arritjen e këtij qëllimi brenda vitit për të plotësuar ciklet e studimit dhe për këtë program studimi.