<

Inaugurimi, Salla e Koncerteve

Salla e Koncerteve në Universitetin e Arteve, një nga më të mëdhatë, u inaugurua mbrëmjen e së premtes duke dhënë shfaqjen e saj të parë pas restaurimit të plotë, jo vetëm për t’ju kthyer studentëve dhe artistëve, por edhe për ta ruajtur atë si monument kulture.

Falë bashkëpunimit të frytshëm dhe ekspertizës me specialistë nga Universiteti i Firences, përfaqësues të Kooperacionit Italian, TAP, Universitetit të Arteve dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, u arrit që Salla e re jo vetëm t’i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe kërkesave të artistëve, por nga ana tjetër të ruhet i paprekur projekti fillestar i saj, një stoli e arkitekturës së viteve 30” - 40” kur ajo është ndërtuar.

Hapjen e ceremonisë e bëri Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Kastriot Çaushi i cili shprehu mirëseardhjen për të gjithë artistët, pedagogët dhe studentët e pranishëm, në këtë sallë të re por njëkohësisht aq të vjetër me historikun e saj të aktiviteteve kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe ish-student e më pas ish-pedagog i Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve, mori pjesë në ceremoninë e dedikuar, teksa u shpreh se është përmbushur më së miri amaneti i historisë së kësaj salle, monument kulture, prej nga shumë talente shqiptare u ngjitën në majat e artit botëror.

Tashmë Salla e Koncerteve në Universitetin e Arteve, që mban rreth 500 vende, do të shërbejë jo vetëm për studentët por do të jetë e hapur edhe për koncerte dhe produksione të tjera artistike. Godina e Universitetit të Arteve është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”.


FOTO GALERI



 

<<Kthehu - Tjetra>>