Vizita e Dekanit të FA të Universitetit të Prishtinës
Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli, bashkë me Dekanin e Fakultetit të Artit Skenik, Prof. Miltiadh Kutali, pritën ditën e sotme në një takim Dekanin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Hazir Haziri. Gjatë këtij takimi, Dekani Haziri përgëzoi Rektorin dhe Dekanin për detyrën e re dhe shprehu besimin se nën drejtimin e tyre, Universiteti i Arteve do të arrijë suksese të reja dhe do të kontribuojë në zhvillimin e artit në vend.
Në një atmosferë miqësore dhe profesionale, u diskutuan mundësitë për bashkëpunim ndërinstitucional. Dekani Haziri theksoi rëndësinë e ndarjes së përvojave dhe ideve, duke nënvizuar se partneritete të tilla janë të domosdoshme për të avancuar edukimin artistik dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët.
Rektori i UART, Prof. Dr. Erald Bakalli dhe Dekani i FAS, Prof. Miltiadh Kutali, shprehën mirënjohjen për vizitën dhe theksuan nevojën për të forcuar lidhjet mes dy Institucioneve, nëpërmjet përfshirjes së shkëmbimeve akademike, projekteve të përbashkëta, organizimeve të aktiviteteve artistike dhe kulturore, për të krijuar një ambient stimulues për studentët dhe artistët e rinj të të dy vendeve.