<

UART dhe AKAB Oslo: Ura të reja bashkëpunimi

Rektori i Universitetit të Arteve Tiranë, Prof. Dr. Erald Bakalli priti një delegacion nga Akademia Kombëtare e Arteve të Oslos (AKAB) të kryesuar nga Dekani i Akademisë së Arteve të Bukura, Antonio Cataldo, së bashku me artisten dhe Profesoreshën e Artit Bashkëkohor Saskia Holmkvist, si edhe Koordinatoren e Programit Bachelor të Akademisë së Arteve të Bukura – Oslo, Sarah Eve McSeveny-Åril. 

Në këtë takim u trajtuan çështje të bashkëpunimit ndërkombëtar afatgjatë si dhe shkëmbimeve reciproke mes personelit akademik si dhe vizitave afatshkurtra të studentëve shqiptarë në AKAB Oslo, në kuadër të zbatimit të një projekti të Mobilitetit Global të mbështetur nga Programi Erasmus i Bashkimit Evropian. 

Më tej, delegacionit iu rezervua një pritje në Dekanatin e Fakultetit të Arteve të Bukura, ku, përveç Dekanit Prof. Sadik Spahija, të pranishëm ishin Zëvendës Dekani Prof. Asoc. Albes Fusha, Prof. Najada Hamzaj, Prof. Asoc. Dr. Zef Paci, Prof. Asoc. Dr. Ardian Isufi dhe Prof. Asoc. Edmond Gjikopulli, ku dhe u prezantuan strukturat e programeve të studimit të të dy institucioneve si nga ana e Dekanit Antonio Cataldo, Dekanit Spahija si dhe drejtueses së Atelierit të Tekstil – Modë Najada Hamzaj. 

Vizita e delegacionit norvegjez vijoi në mjediset, atelierët dhe laboratorët e Fakultetit të Arteve të Bukura, ku profesorët shqiptarë shpjeguan më në detaje elementët e procesit të përgatitjes së studentëve artistë si në një kontekst brenda për brenda departamenteve të FAB ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit mes fakulteteve në rastin e aktiviteteve ndërdisiplinore si në opera apo teatër.

Shfrytëzimi i Sistemit Evropian të Transferimit të Krediteve, në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të tjera të ngjashme, në kuadër të programit Erasmus+ të Universitetit të Arteve me partnerë evropianë nga Spanja e Italia, u nënvizua si një nga instrumentet lehtësues dhe shumë të përshtatshëm për mundësimin e përzgjedhjes së lëndëve që do të mund të ndjekin studentët potencialë në rastin e një mobiliteti afatshkurtër studimor.

 

FOTO GALERI


 

<<Kthehu - Tjetra>>