<

Vizita ne Konservatorin e Moskes ÇAJKOVSKI

Në datat 8 - 11 Korrik 2012, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, së bashku me Zv/ Rektorin, Prof. Asoc. Erald Bakalli, ishin të ftuar për një vizitë pune në Konservatorin Shtetëror të Moskës  "Çajkovski" me ftesë të Rektorit të këtij Konservatori.

Kjo vizitë ishte e një rëndësie të veçantë pasi në objektin e saj kryesor pati vendosjen e kontakteve direkte me drejtuesit e këtij Konservatori për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi midis dy Institucioneve. Theksojmë rëndësinë e kësaj vizite për emrin e madh që ka në botë ky Konservator në fushën e muzikës, i themeluar në vitin 1866.

Ditën e parë të mbërritjes në Moskë, Rektori dhe Zv/Rektori u takuan me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë ne Federatën e Bashkuar Ruse, Z. Sokol Gjoka, dhe Këshilltarin pranë kësaj Ambasade, Z. Ligore Cullufe, ku u bisedua rreth takimit që do te zhvillohej të nesërmen në Konservatorin "Çajkovski". Po ashtu u bisedua dhe për të mundësuar lidhje të reja me Institucione të tjera të artit në Rusi.

Gjatë vizitës në Konservatorin Shtetëror të Moskës "Çajkovski", Prof. Malaj dhe Prof. Asoc. Bakalli u takuan fillimisht me Drejtoren e Departamentit të Bashkëpunimeve Ndërkombëtare, Znj. Margarita Karatygina, e cila ndër të tjera i njohu të ftuarit edhe me ambientet e Konservatorit. Më pas u zhvillua takimi me rektorin e këtij Konservatori, Prof. A.S. Sokolov.

Prof. Malaj duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite falënderoi mikpritësin dhe më pas kaluan në diskutime mbi mundësi konkrete bashkëpunimi midis Universitetit të Arteve në Tiranë dhe Konservatorit Shtetëror të Moskës. 
Një pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe marrëdhënia miqësore bashkëpunuese, ku me kërkesë të Prof. Malaj, Rektori i Konservatorit, Prof. Sokolov pranoi që të vinte në dispozicion të UART literaturën e nevojshme sipas kërkesës së UART, nga fondi i madh i bibliotekës së Konservatorit "Çajkovski".

Ky takim u finalizua me vendosjen e një drafti marrëveshjeje bashkëpunimi në fushat:

  • Mësimdhënie, me shkëmbime vizitash nga pedagogë të dy Institucioneve me qëllim organizim master-classes, leksione apo dhe performanca koncerti
  • Punë kërkimore, duke bashkëpunuar në projekte të përbashkëta, në seminare, konferenca, publikime të përbashkëta
  • Organizim koncertesh apo festivalesh duke pasur të ftuar nga të dy institucionet
  • Shkëmbime informacionesh të ndryshme.

Për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Prof. Malaj ftoi Rektorin e Konservatorit, Prof. Sokolov, për një vizitë në Tiranë.

Në vijim të takimeve në Konservator ishte edhe pritja nga Zv/Rektori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Konservatorin e Moskës, Prof. Vladimir Sukhanov. 
Në një fryme nostalgjie për shqiptarët nga ana e Prof. Sukhanov (pasi kishte pasur kolegë të tij studentë nga Shqipëria) u përkrahën kërkesat e drejtuesve të Universitetit të Arteve për mundësi të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimeve dhe mbajtjes së kontakteve në vijimësi.

Gjatë vizitës në Moskë, Rektori dhe Zv/Rektori i UART patën rastin të zhvillojnë një takim me përfaqësues të Shoqatës së Miqësisë Rusi –Shqipëri, Presidentin e kësaj shoqate, Dr. Kuleshov Sergey dhe z/Presidentin, Dr. Andrey K. Nikitin. Ky takim ishte një takim prezantimi dhe vendosje kontakti për aktivitete të mundshme në të ardhmen, për t’u zhvilluar në bashkëpunim me Shoqatën si psh: Festivali Teatror i Çehovit që zhvillohet në Moskë në periudhën Maj – Korrik 2013.
 

Foto Galeri

 


<<Previous - Next>>