Broshura FAB

ONCE UPON A TIME… IN TIME ONCE AGAIN!

E kaluara përkufizohet si bashkësia e ngjarjeve të ndodhura. Është ai dimension i kohës kronologjike, që përkufizohet nga hapësira kohore të jetuara. Është ajo copëz kohore, e cila, e propozuar në një linjë lineare, i kundërvihet të ardhmes, duke u ndarë qartësisht dhe nga e tashmja.

Në Galerinë Fap, në ekspozitën e tij të fundit, artisti Ardian Isufi ripropozon të shkuarën si një matricë të pandashme nga e tashmja. Ai e ndan atë në dy seksione, i pari, “Një herë e një kohë… Në kohë edhe njëherë”, dhe i dyti, “Pa titull… Në kohë”. Të dy këto seksione ndahen qartazi dhe nga formati: tek i pari, artisti e ngre ekspozitën si një skenografi, ku tabllotë në çifte propozohen si pasqyra të një realiteti të trishtë, ndërsa tek i dyti ai projekton një video të ndarë sërisht në dy imazhe.

Në dy sallat e para tablotë propozohen në formë rrethuese, në distancë anësore nga muri, për të arritur një efekt skenik konkav. Imazhi i parë hyrës është një minare e shembur, ftesë për t'u futur në një hapësirë ku forca të dukshme e të padukshme veprojnë prej shekujsh. Si gjurmë “arkeologjike”, ajo shfaqet e zbehtë, pretenduese e destruktive. Pas kësaj fantazme të mbetur nga revolucioni i hershëm antiklerikal, ndodhet një tjetër imazh “bashkëkohor”, grotesk gati në çdo milimetër. Ai është një objekt i lartë, i identifikueshëm si oxhak industrial, që kulmon shkëlqyes nga një majë e improvizuar minareje. Oxhaku, motiv krenarie i sistemit të kaluar, është transformuar sot nën tingujt e rizgjimit religjioz. Dy imazhet simotra, ironizojnë me fatin e njëra-tjetrës, aq sa nuk kuptohet kush gëzon fatin më mjeran.

Tabllotë e tjera që plotësojnë sallën ndjekin njëra-tjetrën. Fillmisht një kioske strehohet pa shumë pretendime në skajet e një qendre urbane, e ndërsa logot e shërbimeve mbivendosen, në krah, e mjergullt, shfaqet monumenti madhështor i Vlorës, vepër epike e kremtimit të pavarësisë së vendit tonë. Në krah, sheshi i kombinatit “Stalin” duket i rizgjuar në një mëngjes herët, me monumentin e munguar. Rreth tij shëtisin kuturu hije, që duket se mungesa e monumentit i ka përcaktuar një humbje orientimi të dukshme.
Më tej akoma në dy imazhe nga qendra e kryeqytetit (Under Construction), bashkëjetojnë skelat e rindërtimit; “grataçelat” Made in Albania; strukturat e bronzta ngritur me pasion nga regjimi komunist; reklamat e botës së sotme e figura triumfuese të Luftës Nacional Çlirimtare. Ato herë përshëndesin njëra-tjetrën e here në heshtje duket se kanë pranuar ironinë e fatit.

Dhe akoma më tej, në mbyllje të skenës së improvizuar prezantohen edhe njëherë dy statuja rrethuar nga struktura gjigande industriale. Si gardian pa kohë e pa qëllim, ato vështrojnë larg, në një pikë të papërcaktuar, si heronjtë e heshtur të komunizmit internacional.
Në sallën majtas, imazhi i parë, vendosur në qendër të sallës (një grup stereotipesh të shoqërisë socialiste përfshirë nën një shi festiv imagjinar), duket sikur dialogon ironikisht me një mesoburrë “ish partizan”, ulur në trotuar, që sot shet tollumbace shumëngjyrëshe. Ura kohore që ngrihet mes këtyre personazheve, ngjyroset me nota të forta melankolie, mes ëndrrave e iluzioneve të humbura.

Tabllotë e tjera që ndjekin linjën ekspozitive, ripropozojnë herë objekte të kaluarës e herë të tashmes. Më pas akoma ripropozohet kopertina e romanit “Dimri i Madh”. Tashmë i pastruar nga festiviteti qiellor e në gjuhë të huaj, si objekt i denjë eksporti i kohës dhe si një nga pikat më të larta të ngritjes së kultit të individit, ai rikujton stereotipet delirant e euforik, mbrojtës të vijës së socializmit shqiptar.
Imazhi përmbyllës duket si nënteksti i gjithçkaje çfarë artisti propozon. “art is politic - politic is art”. Ky binom i mbivendosur, duket për një moment si strumbullari i pafund i gjithçkaje. Një rreth vicioz, ku duket se asgjë nuk i shpëton dot dorës së padukshme e matricës së vendosur nga forca e kohës.

Por pika më e lartë e ekspozitës mbetet salla e majtë. Në miniaturë ajo propozohet si kinema “Republika”, e pajisur me tabelë, poster, karriget e kohës dhe objekte të tjera antikuare. Projektimi i dalë nga goja e një prozhektori gjigand, tregon një imazh kinematografik të ndarë në dy plane. Tek i pari copëza të filmit “I Teti në Bronz”, rindërtojnë udhëtimin e bustit e “heroit”, e tek tjetri ripropozohet rrugëtimi i monumentit të “njeriut të ri socialist” që artisti solli në galeri në ekspozitën e kaluar. Të ndarë në dy ekrane, e shkuara dhe e tashmja lozin me gjestin artistik, nostalgjinë, dhe ndërthurjen e tyre. Në një montazh mjaft të arrirë, si një eko e kohës, vlerat dhe antivlerat, i lenë vendin njëra-tjetrës, si një paralelizëm paradoksesh të së shkuarës me të sotmen.


Ekspozita, në tërësi është zgjatim i kërkimit artistik të viteve të fundit të artistit A.Isufi, duke rihapur edhe njëherë diskutimin mbi monumentalitetin, si sjellje, dje dhe sot.
Ajo heton të shkuarën e afërme, atë që është ende mes dhe brenda nesh.
Ajo herë thërret për vlerat e humbura, e herë qëndron si roje e tyre.
Monumentaliteti në këtë ekspozitë, herë përkthehet në skulpturat simbol të rregjimit të kaluar, herë në objekte të periferive të harruara, e herë të tjera në personazhe të trishta të realitetit që jetojmë.
Mesa duket do jetojmë me to si në një pikë të madhe grumbullimi, me durim siç vetëm ne dimë të durojmë, ose të bëjmë më të vështirën, siç shkruante Lubonja: “… t'i bëjmë të padëmshëm duke i goditur mu atje ku duket se kanë fuqinë e tyre: tek madhështia.”

 

ERMIR HOXHA
Tetor 2012
 

Foto Galeri

 

<<Previous - Next>>