<

Takimi me Ambasadorin Turk Z.Hidayet Bayraktar

Më datë 23.09.2014, ne rektoratin e Universitetit të Arteve u zhvillua takimi midis Rektorit të UART Prof. Petrit Malaj dhe Ambasadorit Turk Z. Hidayet Bayraktar, për të diskutuar mbi projekte të ndryshme bashkëpunimi midis Universitetit të Arteve dhe institucioneve të artit në shtetin Turk.

Rektori shprehu mirnjohjen e tij të thellë për vizitën e zotit Ambasador në Universitetin e Arteve, duke pasur parasysh se kjo ishte vizita e tij e parë zyrtare pranë këtij universiteti, si dhe shtoi faktin se UART ka patur bashkëpunime bilaterale të shkëlqyera me institucione kulturore të ndryshme Turke.

Më pas Rektori vijoi me një prezantim më të hollësishëm të tre Fakulteteve të UART, Fakultetin e Arteve të Bukura, Fakultetin e Muzikës, Fakultetin e Artit Skenik si dhe Galerisë FAB, duke përmëndur dhe programet e ndryshme të studimit të secilit fakultet si dhe kapacitetin numerik të stafit akademik dhe studentëve të regjistruar pranë këtij universiteti.

Në këtë takim u diskutua gjatë mbi marrëveshje të mundshme bashkëpunimi, ku zoti Ambasador shprehu dëshirën e tij të madhe dhe vullnetin për të mbështetur UART në projektet e saj.
Një ndër problematikat kryesore të diskutuara ishte dhe rinovimi i Sallës së Madhe me ndenjëse të reja për spektatorët, për të arritur standartin e duhur të një skene tashmë shumë të rëndësishme për jetën kulturore në kryeqytet duke marrë parasysh faktin se rreth 50% e aktiviteteve kulturore zhvillohen pikërisht në këtë sallë. Ambasadori Turk z.Hidayet Bayraktar shprehu gadishmëri dhe pozitivitet të plotë për të mbështetur Universitetin e Arteve në këtë nismë.

Pas mbylljes së takimit, Rektori i UART Prof. Petrit Malaj e shoqëroi zotin Ambasador në disa prej ambienteve të Universitetit të Arteve.


Foto Galeri

 

<<Kthehu - Tjetra>>