Broshura FAB

Ekspozita ne Galerine FAB

Galeria FAB peruron ekspozitën vjetore të pikturës “Nëntor 17”, ditën e enjte, datë 6 Nëntor 2014, ora 19.oo.

Artistët pjesëmarrës: Aleksander Filipi, Agron Mesi, Adrian Devolli, Andi Hila, Besim Tula, Buron Kaceli, Eniela Veveçka, Gazmend Leka, Gjerjgji Marko, Hasan Çapari, Kujtim Buza, Llazar Myzeqari, Llazar Taçi, Merita Selimi, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Petro Kokushta, Qiriako Meniko, Robert Guci, Stefan Taçi (Stefos), Vilson Kilica, Zef Shoshi. Kordinator Ermir Hoxha

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 16 Nëntor.

Jeni të mirëpritur.

------------------------------------------------------------------------------------------------------
NËNTORI 17 / Mes historisë dhe kontemporanitetit

Rrugëtimi i artit shqiptar përgjatë shekullit të XX, është një aventurë vizive tërheqëse e multiforme, e cila në tërësinë e saj prezantohet si përkrahëse natyrale e një Realizmi tipik. E propozuar në pak ekzemplarë që në fundshekullin e XIX, ajo gjeti shprehi me frymë romantike përgjatë dekadave të para të shekullit, si format tipik i një shoqërie, që po trokiste me “drojë” në dyert e qytetërimit perëndimor. E pasi u konsolidua në institucionet e para didaktike vendase e më pas në Akademitë perëndimore, artistët shqiptarë e konsoliduan Realizmin në versionin e vetëm botëkuptimor artistik. Pas Luftës së II-të Botërore, me ndryshimet politiko-strategjike, shteti i ri shqiptar, e orientoi çdo resurs njerëzor drejt Kampit të Lindjes, ndërsa artin dhe artistët, si çdo gjë tjetër, i diktoi qëllim, formë e funksion. Përtej realizimit të mijra e mijra veprave, sponsorizuar fuqimisht nga shteti, me temën e përfundimin e përcaktuar, artistëve shpesh i mbeti veç të kërkonin nëpërtë, një formë të ndryshme përqasje estetike, vlera e së cilës deri në fund do të përcaktohej nga humori i “çuditshëm” e gjithnjë i ndryshëm i pushtetmbajtësve. E pas diktaturës së stërgjatë, ata (si të gjithë shqiptarët) tashmë ishin më në fund të lirë… të lirë nga imponimi tematik e stilistik, të lirë nga çensura e komisioneve seleksionuese e përcaktuese, e akoma më tepër të lirë për të krijuar atë që kishin ëndërruar në vitet e gjata të diktaturës. Liria që papritur ju përball faktike, kërkonte një përgjegjësi të re, një përballje stilistike e estetike personale, me një publik të ri, që për më tepër nuk përmbyllej në kufijtë e vendit mëmë.
Dhe vijmë kështu në ditët që jetojmë sot, në ditët ku artistët dhe krijimet e tyre janë shumëfishuar sa në medium aq dhe në rikonceptim estetik, sponsorizuar sa nga ndërtimet akademike të ndryshme, aq dhe nga informacioni e teknologjia kibernetike.
E në ekspozitat e shumta, përshkuar sa nga artistë vendas aq dhe të huaj, zë vend prej 16 vjetësh edhe ekspozita Nëntori. E iniciuar në vitin 1998 nga Llambi Blido, Stefan Taçi e Besim Tula, ajo prezanton në mënyrë konseguente, disa nga emrat më të spikatur të artit të gjysmës së dytë të shekullit XX. Me dëshirën e përbashkët për të qenë prezent, dallojnë mes tyre emra si Shijaku, Kaceli, Kilica, Çapari, Shoshi, Blido, Dilo, Buza, Myzeqari, Zajmi, Progri, Kokushta, Meniko apo ato të një brezi më të ri si Tula, Filipi, Leka, Devolli, Taçi, Mesi, B. Kaceli, Përvathi, Sadikaj, Hila, Marko, Guci, Ivanaj, Selimi e Hoxha,... bashkangjitur, herë pas here me artistë më të rinj, piktorë, skulptorë apo artistë të diasporës, por që në esencë bashkohen nga një dëshirë e pasion i përbashkët për të qenë krijues e për të qenë gjithnjë pranë artëdashësve.
Në edicionin e tij të 17, Nëntori konfirmon edhe njëherë misionin e tij në ditët e krijimit, atë të prezantimit të një ekspozite pikture, që ashtu si kolegët e tjerë përgjatë shekullit të XX, ia dedikuan përditshmërinë dhe pasionin e tyre krijimit artistik apo siç shprehet njëri prej themeluesve: “me pretendimin kryesor, gjuhën figurative dhe një shfrytëzim sa më të gjerë të tavolocës kromatike.” Si institucion i vetpërqendruar në mediumin e pikturës, Nëntori, më shumë se çdo aktivitet tjetër, hedh ura kuptimore mbi realizmin e shekullit të kaluar. Në të “mbijetojnë” heronjtë, peizazhi e kostumet tradicionale, ndërthurur me ato vepra që marrin spunto nga raporti shoqëri-individ, por edhe të tjera që ofrohen me tematika edhe më ekzistenciale. Si bashkëudhëtar me formim të ngjashëm, por me vizion e kuptueshmëri të ndryshme, pjesëmarrësit e Nëntorit, ofrojnë një panoramë artistike shumëformëshe, herë me eko të qarta të së kaluarës realiste të shekullit të XX, e herë të tjera me përqasje tipike bashkohore, si një pasqyrë e realitetit artistik vendas, lidhur fort pas mediumit të pikturës së kavaletit, si një formë krijimtarie sa historike aq dhe kontemporane.

Ermir Hoxha, Nëntor 2014.


<<Kthehu - Tjetra>>