Vizita e Ministres së Kulturës në UART
Ditën e Mërkurë dt. 11 Shtator 2019, Rektori i Universitetit, Prof. Kastriot Çaushi dhe pjesëtarë të tjerë të rektoratit të UART, mirëpritën Ministren e Kulturës Znj. Elva Margariti, e cila ndoqi nga afër punimet restauruese që po zhvillohen në korpusin kryesor të Universitetit të Arteve.
Ndërtesa historike, monument kulture, po i nënshtrohet një rikonstruksioni total të ambienteve të brendshme, që konsiston në izolimin akustik, sisteme të reja elektrike, hidraulike dhe ngrohje si dhe punime të restaurimit të fasadës duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat muzeale dhe historike të godinës.
Ky është një investim i Qeverisë Shqiptare në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe ka si qëllim përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të studimit dhe të mësimit për studentët. Shpresojmë që në semestrin e dytë të këtij viti akademik, studentët të hyjnë në ambiente të reja, më komode dhe motivuese për krijimtarinë e tyre artistike.