<

Departamenti Skulpturë

Departamenti Skulpturë ofron programe studimi të ciklit të parë në përfundim të cilave lëshon Diploma si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë Bachelor në Skulpturë
  2. Diplomë Bachelor në Skulpturë Qeramikë


Departamenti Skulpturë ofron programe studimi të ciklit të dytë në përfundim të cilave lëshon Diploma si më poshtë (duke vizituar lidhjen e secilës mund të shfletoni informacion të zgjeruar mbi planin mësimor korrespondues):

  1. Diplomë “Master i Arteve” në Skulpturë dhe Mësuesi
  2. Diplomë “Master i Arteve” në Skulpturë Qeramikë dhe Mësuesi


Programi i studimit Skulpturë

Misioni i këtij programi studimi është që të formojë studentë me dije akademike dhe artistike në lidhje me skulpturën, vëllimin dhe marrëdhënien e veprës artistike me hapësirën ku do të ekspozohet. Ky proces aftësimi arrihet nëpërmjet ushtrimeve, detyrave dhe projekteve, që realizohen në mënyrë individuale nga studentët nën drejtimin e stafit akademik. Ushtrimet dhe detyrat kanë për qëllim të rrisin aftësinë analizuese dhe interpretuese të studentit në marrëdhënie me figurën njerëzore dhe subjekte të tjera. Projektet kanë si qëllim rritjen e kapacitetit krijues dhe punës së pavaruar të studentit.

Në Ciklin e Parë të Studimit (Bachelor) i jepet një rëndësi më e madhe rritjes së kapacitetit analizues dhe interpretues të studentit nëpërmjet ushtrimeve dhe detyrave studimore. Studentët njihen me gurët, mermerët, hekurin, drurin e materiale të tjera, teknikat e punimit të tyre si dhe mjetet më efikase që ofron teknologjia e kohës.

Në Ciklin e Dytë të Studimit (Master) i jepet një rëndësi parësore rritjes së kapacitetit krijues, punës së pavarur dhe debatit të hapur të studentëve; perfeksionohet raporti aktiv dhe krijues i tij, i lidhur ngushtë me eksperimentimin dhe specifikat e materialeve. Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë.

Njohja dhe përpunimi i materialeve e më pas eksperimentimi me to realizohet në laboratorin e skulpturës dhe është pjesë e rëndësishme e procesit të punës së atelierit të skulpturës në të dy ciklet e studimit.


Programi i studimit Skulpturë Qeramikë

Atelieri i Skulpturës Qeramikë ka për mision formimin e artistëve qeramistë në dy drejtime kryesore: Qeramikë Artistike dhe Qeramikë Industriale (dizajn). Synimi kryesor është krijimi i koncepteve të drejta te studentët për shprehjet plastike në rrafsh/hapësirë nëpërmjet aftësimit të tyre profesional për realizime të pavarura dhe me individualitet krijues.

Procesi ne Ciklin e Parë të studimit (Bachelor), shoqërohet me studime plastike dhe projekte, të cilat i orientojnë studentët drejt zhvillimeve bashkëkohore. Laboratori është vendi ku ekzekutohet dhe eksperimentohet teknikisht pjesa më e madhe e projekteve të qeramikës artistike dhe industriale. Në laborator studenti merr njohuritë bazë mbi materialet, procesin tekniko-teknologjik dhe praktikon punën me allçi, baltë, glazurë, pjekjen, veçoritë dhe mënyrat e përdorimit të materialeve të ndryshme.

Në Ciklin e Dytë (Master) studentët orientohen në bazë të prirjeve individuale dhe hapësirave të tregut të punës në zhvillime të veçanta të qeramikës artistike apo industriale. Programi i studimit të Ciklit të Dytë Master është program karakterizues i formimit special që ofron edhe fushën e mësuesisë.