<

Prezantim - Arkiva Digjitale e BSHUA

Më datë 23 Nëntor 2018 në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Arteve, në kuadër të aktivitetit "Shërbimet bibliotekare dhe praktikat më të mira" si pjesë e trajnimit të vijueshëm bibliotekar të organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqiperisë, u zhvillua prezantimi me temë "Arkiva Digjitale e Bibliotekës së Universitetit të Arteve, Tiranë", me lektorë Miranda Bakiasi (Drejtore e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Arteve) dhe Erjon Sulaj (Përgjegjës i Sektorit të TIK në Universitetin e Arteve).

Në këtë takim morën pjesë Përgjegjësit e Rrjetit Kombëtar të Bibliotekave të Republikës së Shqipërisë si dhe Znj. Ederina Demo nga Biblioteka Kombëtare.



Në prezantim u trajtua historiku i implementimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Arteve në funksion të rritjes së performancës dhe cilësisë së shërbimeve, nga viti 2003 deri në ditët e sotme.

Më tej prezantimi u përqëndrua në objektin e tij, digjitalizimi i koleksioneve të Bibliotekës (materiale te shkruara apo skanuara si dhe materiale të shumëllojshme audio-vizuale), proces i nisur në vitin e largët 2003 dhe i plotësuar më tej në vitin 2012 duke i vënë këto koleksione në shërbim të proceseve të mësimdhënies dhe të studimit akademik si dhe të audiencës më të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare nëpërmjet zbatimit në të një sistemi me bazë "kod në burim i hapur" të menaxhimit të arkivës digjitale.

Në prezantim u pasqyrua në mënyrë të detajuar dhe me shembuj konkretë metodologjia e zbatuar, standardet e ndjekura, puna me sistemin e digjitalizimit në drejtim të katalogimit, puna kërkimore në drejtim të përdorimit të ndërfaqes së përdoruesit, si dhe më tej të dhëna të detajuara statistikore dhe materiale ndihmëse në mbështetje të këtij rrugëtimi të gjatë dhe angazhues, por njëkohësisht të prekshëm dhe shumë të vlerësuar.

Gjithashtu në prezantim u pasqyruan detajet teknike, teknologjia e zbatuar dhe standardet e ndjekura nga plani i TIK.

Në përmbyllje të takimit, u diskutua mbi mundësitë e ndërtimit të një plani veprimi të përbashkët për zbatim të këtyre teknologjive brenda rrjetit të bibliotekave Universitare pjesëmarrëse, si moment tashmë prioritar në stadin aktual të zhvillimit të Universiteteve Publike dhe jo vetëm.

Pas prezantimit u zhvillua një tur prezantues me mjediset dhe proceset e punës të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Arteve.


SHËNIM: Duhet theksuar se në ditët e sotme këto sisteme dhe kjo teknologji e vënë në zbatim më herët i mundëson Bibliotekës së Universitetit të Arteve një administrim efektiv të resurseve, ndërveprim të shpejtë dhe korrekt me audiencën, informim në kohë reale lidhur me titujt e disponuar, ndërveprim në kohë reale me shumëllojshmërinë e materialeve te shkruara dhe audio-vizuale në koleksionet e administruara në arkivën dixhitale, etj.