<

Akreditimi Institucional dhe nisja e vitit të ri akademik

Akreditimi është procesi i certifikimit të cilësisë së një Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL) si dhe i programeve të tij të studimit.

Kësisoj, akreditimi duhet parë si një proces serioz dhe duhet realizuar me përgjegjshmëri të lartë pasi është praktikisht e vetmja mënyrë që i siguron studentët për cilësinë dhe standardet e arsimimit të tyre dhe nga ana tjetër është momenti në të cilin Universiteti i siguron studentët se programet e tij i plotësojnë standardet.

Në këtë kuadër, si edhe me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, Rektorati i Universitetit të Arteve në datat 26 dhe 27 Tetor, 2021, zhvilloi takime me Asamblenë e Personelit Akademik të Fakultetit të Muzikës, të Fakultetit të Artit Skenik dhe të Fakultetit të Arteve të Bukura.

Në fjalën e tij në këto takime Rektori Prof. Kastriot Çaushi foli mbi masat e marra për fillimin e vitit të ri akademik i cili këtë vit do të zhvillohet i gjithi në auditor dhe ftoi stafin akademik të mobilizohet për një vit akademik sa më të suksesshëm. Gjithashtu në fjalën e tij Rektori vuri theksin edhe në rëndësinë që ka procesi i ri-akreditimit institucional për Universitetin e Arteve.

Më pas Zv. Rektori i UART, Prof. Dr. Erald Bakalli, bëri një përmbledhje dhe informoi Asambletë e Personelit Akademik mbi përmbajtjen e raportit të hartuar nga Grupi i Vlerësimit të Brendshëm dhe trajtimin e problemeve në të.

Të pranishëm në këto takime ishin edhe Dekanët e Fakulteteve të cilët në fjalën e tyre theksuan edhe njëherë rëndësinë e procesit të ri-akreditimit institucional dhe zbatimin e masave të marra nga Universiteti i Arteve për fillimin e vitit të ri akademik.


Foto Galeri