<

Vizita e Kryeministrit, salla e koncerteve

Ditën e Premte, datë 16 Dhjetor, Rektori, Prof. Kastriot Çaushi, bashkë me përfaqësues të tjerë të Universitetit të Arteve pritën Kryeministrin, Z. Edi Rama dhe Ministren e Kulturës, Znj. Elva Margariti në ambjentet e korpusit qendror të Universitetit të Arteve, të cilët vështruan nga afër punimet restauruese që po bëhen, tashmë prej disa kohësh, në Sallën e Madhe të Koncerteve.

Gjatë takimit u inspektuan të gjitha punimet dhe ndryshimet rrënjësore që i janë bërë kësaj salle, duke qëndruar gjithmonë besnikë ndaj një rikonstruksioni konservativ të ruajtjes së cilësisë, akustikës dhe strukturës së sallës.

Ky rikonstruksion i rëndësishëm për Universitetin e Arteve ka si qëllim jo vetëm përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës, mësimit dhe studimit në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe artistëve të universitetit, por gjithashtu mbështetjen e vazhdimësisë së zhvillimeve artistike, kulturore dhe sociale të vendit tone, si salla me e kërkuar për aktivitetet e kësaj natyre.

Falë bashkë-financimit të Qeverisë Shqiptare dhe TAP – Shqipëri, Salla e Madhe e Koncerteve, pjesë e godinës historike që është Monument Kulture, do t’i rikthehet komunitetit artistik brenda muajit Janar të vitit 2023, me ambjente komode, motivuese, me teknologji moderne dhe profesionale, duke sjelle shtim të aktiviteteve artistike e kulturore në vend.


FOTO GALERI