<

Takim, Muzikologji - Pedagogji Muzikore, FM

Në datën 19 qershor 2023, u zhvillua në sallën e Bibliotekës së UART tryeza e rrubullakët me studentët e muzikologjjisë dhe pedagogjisë muzikore të FM, nën drejtimin e pedagogëve të muzikologjisë, Prof. Dr. Zana Shuteriqi Prela, Prof. Asoc. Dr. Holta Sina Kilica dhe Dr. Edmir Ballgjati.

Kjo tryezë, e cila zhvillohet periodikisht në fund të vitit akademik, edhe në këtë fundviti kishte si synim njohjen dhe analizimin e pjesëve të kompozuara nga studentët e kompozicionit, të cilët mbajtën koncertin e tyre më datë 8 qershor, në bashkëpunim me studentët instrumentistë, në kuadër të Stinës Koncertore 2023.

Risi e këtij viti ishte se në këtë tryezë morën pjesë edhe studentët e pedagogjisë muzikore të vitit III Bachelor, të cilët i’u bashkangjitën atyre të muzikologjisë me punimet e tyre recensionale, kurse studentët e muzikologjisë referuan punimet e tyre analitike, duke shkëmbyer kështu mendime dhe opinione rreth pjesëve të kompozuara nga studentët e kompozicionit, ashtu si edhe të rrugëve, teknikave e metodave kompozicionale që ata kishin ndjekur në këto krijime, në bashkëpunim edhe me pedagogët e tyre respektivë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u diskutua në këtë tryezë ishte edhe aspekti se si erdhën këto krijime përmes lojës së studentëve interpretues në këtë natë koncertore, problematikat objektive e subjektive në këtë drejtim (krahasuar ky nivel edhe me studentët e kompozicionit që i intepretuan vetë pjesët e tyre cilësisht në piano), duke zgjuar në këtë mënyrë akoma më tepër syrin kritik te studentët e muzikologjisë.

Urojmë që bashkëpunime të tilla të jenë sa më të shpeshta e frytdhënëse, në mënyrë që studentët të jenë sa më të impenjuar dhe sa më afër skenës e kritikës, me arritjet, problemet dhe diskutimet që lindin në këtë proces.


FOTO GALERI