Evropa Krijuese 2021-2027
Ditën e Mërkurë, datë 8 Nëntor 2023, Desku i “Evropës Krijuese” në Shqipëri (Creative Europe DESK Albania) i financuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Universitetin e Arteve Tiranë, zhvilluan sesionin informues mbi Programin Evropa Krijuese 2021-2027, si dhe mbi thirrjet e reja të hapura për shtyllën e KULTURËS, kryesisht: Thirrjen mbi Lëvizshmërinë dhe Rezidencat e artistëve dhe Projektet e Bashkëpunimit Evropian.
Sesioni u zhvillua në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë. Rreth 70 studentë dhe staf akademik nga të tre fakultetet: Muzika, Artet e Bukura dhe Artit Skenik morën pjesë në këtë sesion informimi.
Gjatë sesionit u trajtuan prioritetet e Programit “Evropa Krijuese”, aspektet teknike dhe praktike të tij, target grupet dhe çështje të tjera lidhur me këtë program.
Pjesëmarrësit ishin mjaft të interesuar rreth programit dhe veçorive të aplikimit në thirrjet aktuale. Disa nga çështjet e diskutuara mbi të cilat u ngritën pyetje të ndryshme nga pjesëmarrësit, ishin:
- Terminologjia dhe fjalori i përdorur në përmbajtjen e thirrjeve nga Programet e BE-së dhe veçanërisht shtjellimi dhe plotësimi i aplikimit, ku dhe si duhet të përshtatet me përshkrimin artistik të veprave të artistëve
- Rrjetëzimi/Network-u me artistët në Evropë
- Rimbursimi i shpenzimeve lidhur me thirrjen e mobilitetit të artistëve
- Format dhe llojet e mobilitetit, pjesëmarrja në evente rajonale dhe aktivizimi përmes organizatave kulturore, ku artistët e rinj mund të bëhen pjesë.
Këto aktivitete rrisin interesin e artistëve të rinj dhe profesionist për të aplikuar dhe marr pjesë në Programin e “Evropës Krijuese”, për më shumë mundësi të promovimit të veprave kulturore shqiptare në hapësirën evropiane.
FOTO GALERI