Projekti UNIVALENS

Në datat 13 dhe 14 Maj, 2024, në Universitetin e Arteve u organizua takimi në kuadër të projektit UNIVALENS, konferenca me temë “The Albanian procedures for the international validation of educational programs”.

Ky projekton synon që të përcaktojë procedura për organizimin, hapjen, akreditimin dhe njohjen e një programi studimi të ciklit të dytë Master në zonën e Adriatikut Jugor që lidhet me Menaxhimin e Artit dhe Marketingun e Arteve të Performuara.

Njohja e këtij programi studimi në Shqipëri, Itali dhe Mal të Zi, përbën jo vetëm sfidën e madhe institucionale, por edhe suksesin e të gjithë mënyrës së procedimit për të përparuar gjithmonë në drejtim të ndërkombëtarizimit të studimeve.

Në takim ishin prezentë delegacione nga Universiteti i Barit “Aldo Moro”, Teatri Publik Puliez dhe Universiteti i Malit të Zi. Delegacionet u pritën nga Rektori, Prof. Kastriot Çaushi, së bashku me autoritete të tjera drejtuese të Universitetit të Arteve.

Në takim ishin të pranishëm delegacionet nga:

  • Universiteti i Barit “Aldo Moro”- me përfaqësues Përgjegjësin e DAMS, Prof. As. Federicco Zecca,
  • Teatri Publik Puliez - me përfaqësues Presidentin z. Paolo Ponzio, z. Lino Manosperta dhe z. Sandro Furio,
  • Universiteti i Malit të Zi - me përfaqësues Dekanin e Fakultetit të Artit Dramatik, Dr. Edin Jasarovic dhe znj. Sara Jovanovic.


Punimet u përshëndetën nga Rektori i Universitetit të Arteve Prof. Kastriot Çaushi i cili në fjalën e tij u shpreh se ky projekt është i një rëndësie të veçantë në drejtim të ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit të programeve të reja arsimore.

Nën moderimin e Zv. Rektorit, Prof. Dr. Erald Bakalli, Përgjegjësit të Sektorit të Projekteve, Prof. Pjetër Guralumi dhe Përgjegjësit të Departamentit "Regji - Regji Filmi dhe Televizioni" në Fakultetin e Artit Skenik, Prof. As. Alert Çeloaliaj, punimet vijuan me diskutime të partnerëve duke synuar bashkëndarjen e objektivave dhe veprimeve të projektit.

Përgjatë punimeve të konferencës, ofruan ekspertizën e tyre specifike të fushës edhe përfaqësueset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, znj. Ingrit Jushi dhe znj. Ardjana Gjini, përfaqësueset e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, znj. Majlinda Demirneli dhe znj. Ersi Dako, përfaqësuesi i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, z. Robert Dumi.

Në ditën e dytë të punimeve, të pranishëm ishin Zv. Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Lira Pipa, Drejtori i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, z. Gjergj Prevazi, Drejtori i Teatrit Kombëtar z. Altin Basha, Drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative, z. Jonid Jorgji, si dhe përfaqësuesi i Zyrës së Rajonit të Pulias në Tiranë, z. Claudio Polignano.


FOTO GALERI