Një fundvit plot ngjyra në Universitetin e Arteve

Një fundvit plot ngjyra në Universitetin e Arteve
“Open Day” dhe “Mama Mia” në Dhjetorin e Festave

 

Shkroi Sara Caca


Këto ditë të fundvitit, Universiteti i Arteve ka qenë në ditë festash, pasi të tre fakultetet u bënë bashkë në një sërë aktivitetesh plot fjalë, ngjyra e tinguj.

Kështu, më 11 dhe 12 dhjetor, Universiteti i Arteve organizoi aktivitetin e quajtur "Open Day", ku si synim kishte ‘dyert e hapura’ të universitetit për të gjithë të interesuarit, studentët e ardhshëm, artdashësit e të tjerë, të cilët patën mundësi për të kaluar një ditë mes tre fakulteteve, të Muzikës, Arteve të Bukura dhe atij Skenik.

Në praninë e stafit akademik, Rektorit Prof. Dr. Erald Bakalli e Dekanëve të të tre fakulteteve, Fakulteti i Muzikës hapi dyert në hollin e tij, në orën 10:00, duke ekspozuar punime në pikturë, skulpturë e instalacion, ku ndërkohë klasa korale nën drejtimin e dirigjentit Bujar Alliu kishin përgatitur dy këngë përshendetëse (Mary did u know ?; Carol of the bell) për të gjithë të pranishmit, shoqëruar nga balerinët e degës së koreografisë. Integrimi i arteve dhe sinkretizmi mes tyre, ishte koncepti i hapjes, por edhe ideja e bashkrendimit në vazhdimësi të punës së tre fakulteteve në të ardhmen.

Paralelisht në sallat e Fakultetit të Muzikës zhvillohej edhe konkursi "Ymer Skënderi", për gjashtë kategori nga të cilat, përveç çmimeve të para të secilës prej tyre, do të jepej edhe çmimi i madh "Ymer Skënderi". Kështu, konkursi i instrumentave të frymës u zhvillua në Sallën e Madhe të Koncerteve të këtij fakulteti, ku fitues i çmimit të parë "Viktor Shiroka" ishte studenti Arlind Omaj (klarinetë). Konkursi për kategorinë violonçel-kontrabas-kitarë u zhvillua në sallën e pedagogëve “Ibrahim Madhi” ku fitues i çmimit të parë "Gjergj Antoniu" ishte studenti Bashkim Kupi (violonçel). Çmimi “Tonin Guraziu” në kategorinë piano e fizarmonikë shkoi për studenten Hepi Kajca, konkurs i cili iu zhvillua në sallën “Çesk Zadeja”, ndërsa "Ibrahim Madhi" ishte një tjetër çmim i kategorisë - violinë, i cili u fitua nga violinistja Esmeralda Kyçyku. Departamenti i Kantos gjithashtu ishte pjesë e këtij konkursi, ku studentja Enejda Fasko mori çmimin "Gaqo Çako". Në këtë konkurs nuk mungoi pjesëmarrja e studentëve, intrumentistëve të muzikës së dhomës, ku fituesit e çmimit "Simon Gjoni" ishin Piano Quartet-i i studentëve, me një vepër shumë të bukur të Arensky-t.

Gjatë gjithë ditës në vazhdim, 20 klasat e godinës qëndrore të Fakultetit të Muzikës, zhvilluan mësim të hapur ku, të gjithë ata që dëshironin, patën mundësi të bëheshin pjesë e leksioneve dhe orëve të mësimit individual. Pjesëmarrësit më aktivë të kësaj dite të veçantë, ishin nxënës që kishin ardhur nga shkollat e muzikës të Tiranës, të cilët ishin të intersuar për të ndjekur më nga afër këto orë mësimore akademike. Arrdhja e tyre dhe interesi i shprehur, dëshmojnë mbi të gjitha për atë që është më e rëndësishmja: vazhdimësia!

Në këtë ditë të hapur, për të parë e dëgjuar sa më shumë nga ky fakultet, ishin pikërisht edhe provat e musical-it mjaft të njohur "Mamma Mia" (ABBA), i cili është një musical me dy akte, i këtij grupi legjendar të pop-it botëror. Provat e këtij musical-i mundëm t’i ndjekim në "Open Day", në sallën “Çesk Zadeja” (pas mbarimit të konkursit Ymer Skënderi), nën drejtimin e pedagoges dhe këngëtares së njohur Manjola Nallbani, shoqëruar nga band-i i Fakultetit të Muzikës.

Pas provave musical-it "Mama Mia", po në sallën “Çesk Zadeja” u mbajtën provat e operetës “Vejusha Gazmore” të kompozitorit austro-hungarez Franc Lehár, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi dhe kocertmaestër Elvis Peçit.

Gjithashtu si një përmbyllje e këtij aktiviteti ishte edhe koncerti i muzikës Jazz në mbrëmje, në Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve, ku spikatën performancat e studenteve të kësaj dege të re për Fakultetin e Muzikës, por edhe të lojës së tyre së bashku me pedagogët.

Konkursi "Ymer Skënderi" pati gjithashtu të nesërmen edhe finalen e tij në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve. Të gjithë fituesit e çmimeve të para në kategoritë e përcaktuara më sipër konkuruan midis njëri-tjetrit për çmimin e madh "Ymer Skënderi", i cili u fitua nga Piano Quintet-i i përbërë nga: Tedi Drazhi-piano; Fjorela Xhaferaj-violinë; David Turhani-violinë; Mateo Shaqiri-violë; Bashkim Kupi-violonçel, të gjithë të rinj të talentuar që premtojnë shumë për të qenë artistë të denjë të së ardhmes.

Si një përmbyllje mjaft e bukur për këtë fundvit, më 20 dhjetor, nën drejtimin e pedagoges së kantos dhe musical-it Manjola Nallbani, u ngjit në skenë për herë të parë nga studentët e kantos dhe të koreografisë musical-i "Mamma Mia" me regji të Prof. Milto Kutalit dhe pedagogut Redjan Mulla.

Ky musical erdhi përmes një atmosfere plot energji dhe ngjyra, duke patur në fokus muzikën dhe kulturën e viteve ‘70 - ’80 si dhe këngët e famshme të grupit ABBA, inspiruar prej filmit muzikor me të njëjtin titull. Musical-i u performua i plotë (me dy akte: ku akti i parë përmban 13-të këngë dhe akti i dytë 29-të këngë), përmes interpretimit live të studentëve, ku në rolet kryesore ishin: Donna (Jasmina Dervishi); Sophie (Fiona Thaçi); Sam (Kristo Qerama); Harry (Armen Mata); Bill (Aldrin Biba); Sky (Joel Muhametaj); Tanya (Krisa Gjika); Rosie (Egzona Bogdani); Ali (Valeria Cara); Lisa (Natalia Tigani); Pepper (Endin Muça); Eddie (Oresti Hoxhallari); prifti (Noel Prifti); Rubi (Manjola Nallbani), si dhe ansambli i studentëve të Universitetit, nën drejtimin e pedagogut Bujar Alliu.

Një tjetër pikë e fortë e këtij musical-i ishte edhe band-i, me drejtues pedagogun e jazz-it Gent Rrushi, në bateri-Emiljano Dhimo, organo-Kristi Pasmaçiu; kitarë bass-Roni Gjura; kitarë-Arbër Çerri; piano-Tedi Drazhi që bëri një punë të jazhtëzakonshme si dhe dirigjent studenti i talentuar e pasionant Fabjol Aliaj.

Gjithashtu, korografia nga pedagoget Prof. Kozeta Bakiu dhe Elona Nallbani plotësonte bukur momentet dhe skenat e ndryshme, e cila ishte koordinuar edhe me lëvizjet jo vetëm të balerinëve, por edhe të studentëve të kantos të cilët u integruan në kërcime të ndryshme duke krijuar një atmosferë të gjallë e dinamike.

Musical-i kishte dhe mjaft dialogje mes intepretueve këngëtarë, të cilët ishin punuar me kujdes nga pedagogu i regjisë Redjan Mulla.

Musical-i "Mamma Mia", u prit e u mirëprit nga publiku, ku shihej një pjesëmarrje masive që kishte kohë qe i pati munguar kësaj salle të ‘akustikës së përsosur’ (sidomos pas rinovimit të saj), shoqëruar me duartrokitje të ngrohta, si një mbështetje në çdo moment për interpretuesit, pasi përmes këtyre të fundit pasqyrohej puna serioze dhe energjia e mirë e të gjithë studentëve me njëri-tjetrin.

Të tilla aktivitete të bukura e plot ngjyra janë planifikuar edhe për fillimin e vitit të ri 2025, ku siç e njoftuam edhe më sipër, përsëri studentët e kantos do të ngjiten në skenë, në muajin janar, me operetën “Vejusha gazmore”, për të cilën po punohet me intensitet e përkushtim.

Urojmë që festat ti gjejnë gëzuar studentët dhe pedagogët e Universitetit të Arteve dhe me plot projekte të bukura artistike në vijim.