




Konferenca Ndërkombëtare mbi Artin dhe Edukimin
Pas dy ditësh plot diskutime të frytshme, prezantime të thelluara dhe shkëmbime idesh, përfundoi me sukses Konferenca e Parë Ndërkombëtare mbi Artet dhe Edukimin, e cila u mbajt në ambientet e Universitetit të Arteve, në datat 11 dhe 12 Qershor 2025. Kjo konferencë mblodhi së bashku studiues, pedagogë, artistë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe kulturore brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë konferencë morën pjesë mbi 100 referues nga brenda dhe jashtë vendit duke sjellë kontribute me interes sipas fushave që ata referuan. Qëllimi i konferencës ishte të nxiste reflektimin dhe debatin për aspekte të ndryshme në fushën e artit pamor, artit muzikor, artit skenik dhe edukimit.
Konferenca u hap me një ceremoni ku ishin ndërthurur në mënyrë organike numrat artistik të përgatitura nga studentët e të tre fakulteteve të Universitetit të Arteve për të përshëndetur pjesëmarrësit në konferencë si dhe fjalëve përshëndetëse nga Rektori i UART, Prof. Dr. Erald Bakalli, Zv. Ministrja e Arsimit Znj. Ana Kapaj, Rektori i Universitetit të Mjekësisë Prof. Dr. Xheladin Draçini dhe në emër të pjesëmarrësve në konferencë përshëndeti z. Kein Katroshi.
Gjatë ditëve të zhvillimit të konferencës, u zhvilluan katër panele sipas tematikave të përcaktuara me nga tre sesione në secilin panel. Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin në panele diskutime dhe prezantime individuale. Kontributet e pjesëmarrësve ishin të një niveli të lartë shkencor dhe dëshmuan për përkushtimin e tyre në avancimin e dijes dhe praktikave në fushën e arteve dhe edukimit.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e organizimit të rregullt të aktiviteteve të tilla për të nxitur bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar, dhe shprehën dëshirën për thellimin e rrjeteve profesionale dhe hulumtuese të krijuara gjatë konferencës.
Në përmbyllje, Rektori i Universitetit të Arteve falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin, kontributin dhe frymën bashkëpunuese që e karakterizoi këtë ngjarje dhe së bashku me Zv. Ministren e MEKI, Znj. Lira Pipa, shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes në konferencë. Me përfundimin e kësaj konference, u hodhën themelet për nisma e ide të reja që do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të arteve dhe edukimit në realitetet të sotme në vendin tonë dhe jo vetëm.
Ndërkohë, materialet e prezantuara gjatë konferencës u përmblodhën në një botim të posaçëm, i cili iu shpërnda të gjithë pjesëmarrësve dhe u publikua online në formë elektronike.
FOTO GALERI