<

Ceremonia e fillimit të vitit të ri akademik

Me datë 6 tetor 2025, ashtu si në të gjithë sistemin universitar, në Universitetin e Arteve, në Sallën e Koncerteve, u organizua ceremonia e fillimit të vitit të ri akademik. Kjo ditë, shënon për studentët rikthimin në auditore në një atmosferë të mbushur me pritshmëri, ambicie dhe dëshirë për dije. Studentët e rinj hedhin hapat e parë në jetën universitare, ndërsa ata që rikthehen vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt formimit artistik profesional.

Fjalën përshëndetëse me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, e mbajti Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli i cili pasi i’u uroi mirëseardhjen, përgëzoi studentët e vitit të parë për përzgjedhjen e tyre për të qenë pjesë e Universitetit të Arteve. Ai theksoi edhe një herë përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e stafit akademik, ndihmës akademik dhe strukturave mbështetëse të këtij universiteti për të mbështetur të gjithë studentët në rrugëtimin e tyre universitar dhe për të krijuar një mjedis artistik kërkimor dhe bashkëpunues në të gjitha klasat, atelierët, laboratorët dhe mjediset e universitetit.

Gjithashtu, studentët u përshëndetën edhe nga dekanët e të tre fakulteteve, Prof. Arben Llozi, Prof. Miltiadh Kutali dhe Prof. Sadik Spahija të cilët uruan studentët e fakulteteve të tyre për vitin e ri të akademik duke kërkuar prej tyre sa më shumë përkushtim, disiplinë dhe motivim të vazhdueshëm dhe duke uruar në të njëjtën kohë një rrugëtim të frytshëm dhe të suksesshëm për të gjithë.


FOTO GALERI


 

<<Kthehu - Tjetra>>