




Projekti inovativ për monitorimin strukturor UART
Në datën 15 Tetor 2025, në Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve, u prezantua projekti "Monitorimi Strukturor i Sallës së Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve”.
Ky projekt i cili ka për qëllim monitorimin strukturor të Sallës së Madhe të Koncerteve nëpërmjet një sistemi të teknologjisë më të përparuar, zbatohet për herë të parë në vendin tonë dhe më konkretisht në Universitetin e Arteve. Partnerë të këtij projekti janë Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Arteve në bashkëpunim të ngushtë edhe me institucione të tjera si Universitetin e Firences, me sipërmarrjen Tecnopolo d’Abruzzo dhe me partnerët teknikë si Palmerini SCT, West Aquila Srl, Comitech Srl dhe MGAD Design.
Në këtë kuadër Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli priti në një takim pune drejtuesit e këtyre institucioneve, Fr. Ruggero Valentini - Presidenti i Fondacionit “Zoja e Këshillit Të Mirë”, Z. Luciano D’Alfonso - Anëtar i Dhomës së Deputetëve, Itali, Z. Roberto Romanelli – Drejtor i Tecnopolo d’Abruzzo, Z. Stefano Tennina – CEO i West Aquila Srl, Z. Briken Boja – Themelues i Euro Alba Holding, Z. Giovambattista Macchione – CEO i MGAD DESIGN dhe Z. Dritan Delija – CEO i Teda Tirana.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis institucioneve tona si dhe për perspektivat e ardhshme të një bashkëpunimi që synon ta bëjë mbrojtjen e trashëgimisë historike një fushë konkrete dhe strategjike kërkimore.
Në prezantimin e projektit në Sallën e Madhe, Prof. Dr. Erald Bakalli, uroi mirëseardhjen për të pranishmit, përfaqësues të universiteteve, ministrive të linjës, deputetë të parlamentit evropian, arkitektë, diplomatë, studentë dhe të ftuar të tjerë në këtë prezantim.
Ai falënderoi institucionet mbështetëse për realizimin e projektit dhe vlerësoi edhe njëherë rëndësinë e projektit në ruajtjen e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore.
FOTO GALERI
<<Kthehu - Tjetra>>