<

Vizita ne UATH

Rektori i Akademisë së Arteve, Prof. Petrit Malaj, me ftesë të Rektoratit të Universitetit Aristotel të Selanikut (UATH), kreu një vizitë pune dhe disa takime e aktivitete pranë këtij Universiteti.

Prof. Malaj dhe pjesëtarët e tjerë të grupit që e shoqëronin në këtë vizitë u takuan me Rektorin e Universitetit Aristotel, Prof. Ioannis Mylopoulos, Zv. Rektorin Prof. Despo Lialiou, si edhe me Dekanin e Fakultetit të Arteve dhe profesorë nga shkollat e këtij Fakulteti. 

Diskutimi në terma konkretë i bashkëpunimit, mundësitë reale të shkëmbimit akademik, hartimi  i projekteve konkrete të përbashkëta artistike e didaktike dhe mobiliteti studentor siç janë përcaktuar edhe në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes të dy institucioneve, ishin tema kryesore të diskutimit.
Gjithashtu, gjatë takimit me Dekanin dhe profesorë të Fakultetit të Arteve, një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të aplikimit të sistemit të Bolonjës në shkollat e artit dhe shkëmbimi i eksperiencës në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë u diskutua mbi specialitetet me interes reciprok për shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve.

Një nga momentet më interesante të kësaj vizite ishte takimi me përfaqesues të Fondacionit të Artit Teloglion (UATH) dhe vizita në Galerinë e Artit Teloglion. Qëllimi i këtij takimi është krijimi i mundësive të bashkëpunimit mes Akademisë së Arteve dhe Galerisë së Artit Teloglion.

Si partnere e UATH, Akademia e Arteve u ftua të jetë anëtare e BUN (Balkan Universities Network – Rrjeti i Universiteteve të Ballkanit).