Ura me Tri Harqe
Më 12 dhe 13 Maj, në Tetovë u zhvillua aktiviteti kulturor tashmë i kthyer në traditë “Ura me Tri Harqe” .
"Ura me tri harqe" është titulli i një projekti disavjeçar, i cili u iniciua fill mbas mbarimit të Luftës në Kosovë në vitin 2000, për një aktivitet të përbashkët që do të paraqiste arritjet artistike të të tre shkollave artistike:
Akademisë së Arteve të Tiranës, Fakultetit të Arteve të Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Përmes këtij titulli nismëtarët e vitit 2000 gjetën simbolikën që mbart në vetvete aktiviteti, afrimin dhe lidhjen e ndërsjelltë të kulturës kombëtare përmes arritjeve të artistëve të rinj të të tre qendrave më të mëdha mbarëshqiptare Tiranë - Prishtinë - Tetovë. Kjo ide e mbështetur dhe e miratuar nga pedagogë të këtyre Shkollave tregon për një dëshirë të gjithanshme për bashkëpunime dhe organizime të këtij lloji.
Pas një ndërprerje disavjeçare, në vitin 2010 ky event u zhvillua pranë Akademisë së Arteve në Tiranë e cila mund të konsiderohet si një kthesë për rifillimin e projektit, por edhe për pjesëmarrjen e gjerë të studentëve të të gjitha fushave artistike. Duhet shënuar megjithatë se në organizimin e vitit 2010, Fakulteti i Arteve të UT u përfaqësua me studentë të Dramës dhe Artit Figurativ.
Me organizimin në Tetovë të këtij eventi u plotësua trekëndëshi Tiranë - Prishtinë - Tetovë.
Nisur nga kjo arritje e fundit, mund të thuhet se "Ura me Tri Harqe" po e përforcon idenë e nisëmtarëve për një organizim artistik tradicional mbarëkombëtar.
Këtij qëllimi i shërbeu edhe takimi që u zhvillua në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës midis drejtuesve të Universiteteve të të tre shkollave. Në këtë takim ku merrnin pjesë Rektori i USHT Prof. Dr. Agron Reka, Rektori i Akademisë së Arteve Prof. Petrit Malaj, Zv/ Rektorët e AA Prof. As. Arben Llozi dhe Artan Peqini, Dekanët Muamer Sadiku dhe Adem Rusinovci, Zv/ Rektorët e USHT dhe drejtues të tjerë të lartë, u diskutua edhe një herë për stadin aktual dhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit të ndërsjelltë.
I gjithë evenimenti u nda në dy netë:
Në natën e parë, më 12 Maj u çel ekspozita me piktura, skulptura dhe fotografi të krijuara nga studentët e te tre fakulteteve.
Më tej, në mbrëmjen e po kësaj dite ishte radha e programit të regjisë, gjatë të cilit u paraqitën filma të Degeve te Filmit nga te tre shkollat. Në këtë mbrëmje, Fakulteti i Artit Dramatik të UT u përfaqësua me filmin "Tri Dritare" me regji të Faton Bajraktarit, Akademia Arteve e Prishtinës me filmin "Omnibus" dhe në përfundim dega e Regjisë së Filmit ne Akademinë e Arteve të Tiranës erdhi me një film eksperimental.
13 Maji, dita e dytë e aktivitetit u nda midis një tryeze të rrumbullakët, master-class-eve dhe veprimtarive të studentëve të aktrimit dhe atyre të artit muzikor.
Gjatë diskutimeve të pedagogëve dhe disa prej drejtuesve të të tre shkollave u ngrit nevoja për vazhdimësinë periodike dhe të pandërprerë të këtij projekti me një bashkërendim më të mirë jo vetëm midis shkollave por edhe në një partneritet me qeveritë përkatëse dhe shoqatat që punojnë në kete fushe, duke e kthyer kështu në një event më të gjerë artistik te perqendruar jo vetëm brenda shkollave respektive.
Në orën 17.00 të pasdites, programi i aktrimit nisi me studentët e Fakulteti të Tetovës, të cilët sollën në skenë një fragment të "Devid Greg" me regji të Senad Abdulit, për të vazhduar me pjesën "Parfumeria" të interpretuar nga studentët e Prishtinës nën regjinë e Elmaze Nuras. Edhe kjo pjesë e programit të aktivitetit u përmbyll nga Akademia e Arteve te Tiranës, e cila u paraqit me dramën "Vejanet" të Haqif Mulliqit, nën regji të Milto Kutalit.
Edicioni Ura me tri harqe 2011 e mbylli siparin me një Koncert me pjesëmarrje të përbashkët të të tre shkollave, me një program të shtrirë prej numrave solo, tek muzika e dhomës, e deri tek orkestra e harqeve. Ajo çka binte në sy menjëherë ishte pjesëmarrja e gjerë e muzikantëve të rinj instrumentistë e këngëtarë, pra dëshira për të aktivizuar sa më shumë studentë prej Akademive përkatëse.
Simbolika e Urës me tri harqe në edicionin e sivjetshëm të mbajtur në Tetovë, gjeti shprehje pikërisht në koncertin muzikor të datës 13 Maj me orkestrën e përbashkët te harqeve të përbërë prej studentëve të Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës.
Pjesmarrës në këtë aktivitet për Akademinë e Arteve ishin pedagogë dhe studentë nga të tre fakultetet si më poshtë:
- Prof. Petrit Malaj
- Prof. asc. Artan Peqini
- Prof. asc. Arben LLozi
- Prof. Fatmir Miziri
- Prof. Miltiadh Kutali
- Prof. asc. Pjetër Guralumi
- Laureta Halilaj
- Zabit Coka
- Dorina Sula
- Dea Tili
- Eni Dako
- Rozarta Luka
- Eldi Shehu
- Alba Gjini
- Dorina Koçi
- Albjan Vuka
- Denis Mujaj
- Blerina Durmishaj
- Elvis Cara
- Ines Dako
- Elvis Cara
- Valdrin Hasani
- Danil Zhuli
- Artan Mesareja
Disa foto nga aktiviteti