Aktivitete
Më datë 19 Prill, në ambjentet e Ambasadës së Hungarisë në Tiranë u organizua një pritje për të festuar 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhenieve diplomatike ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë.
Në këtë event ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Jozefina Topalli, Ministra të kabinetit qeveritar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Lulzim Basha, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë dhe te ftuar të tjerë.
Kjo mbrëmje u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Arteve. Sigurisht që është domethënës fakti që Universiteti ynë realizoi këtë bashkëpunimin të parë në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar me ambasadën e një prej shteteve që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm përgjatë historisë 100-vjeçare të Shtetit Shqiptar ashtu si dhe 500 vjet më parë.
Zoti Ambasador mbajti një fjalim të shkurtër ku u shpreh për marrëdhëniet e mira jo vetëm diplomatike por dhe miqësore ndërmjet 2 vendeve në këto 90 vjet. Gjithashtu Zoti ambasador falenderoi Universitetin e Arteve që bëri të mundur një koncert me muzikë dhome të luajtur nga kuarteti i harqeve dhe ekspozitën me punime figurative të disa pedagogëve të Universitetit.
Ai u shpreh: “Le të festojmë përvjetorin me muzikë dhe me disa punime figurative. Arti është gjuha që të gjithë ne e kuptojmë shumë mirë, prandaj artistët dhe muzikantët janë diplomatët më të mirë.”
Kryeministri Berisha në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, shprehu mirënjohjen ndaj kombit hungarez dhe vlerësoi miqësinë e vjetër mes dy vendeve, e cila i ka rrënjët në kohërat e hershme dhe në luftërat dhe përpjekjet e përbashkëta të dy kombeve për liri, dinjitet dhe qytetërim.