<

Evente ne UART

Universiteti i Arteve, Tiranë më datë 12 Tetor 2012, ka pasur nderin të japë titullin “Doctor Honoris Causa” mikut të nderuar, Z. Claudio Gubitosi, me motivacionin: “Për kontribut të Shkëlqyer në promovimin e kinematografisë Shqiptare dhe të realiteteve Shqiptare në arenën ndërkombëtare si dhe përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve nga Shqipëria në veprimtari për shkëmbime ndërkulturore, në rrafsh rajonal e botëror.”

Sikurse u shpreh në fjalimin e tij Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, dhënia e titullit "Doctor Honoris Causa" Z. Claudio Gubitosi përbën një rast të shënuar për Universitetin e Arteve për dy arsye: “Sepse nderojmë një personalitet të shquar që ka dhënë kontribut të fuqishëm në bërjen të njohur të kinematografisë Shqiptare në arenën ndërkombëtare, e nëpërmjet saj ka përcjellë edhe vlerat kulturore të vendit tonë, në një kohë kur populli Shqiptar kishte më shumë nevojë për vëmendje ndërkombëtare. 
Ndërsa arsyeja e dytë lidhet me faktin se Universiteti i Arteve akordon titullin "Doctor Honoris Causa" për herë të parë dhe me siguri që kjo do të mbetet si pjesë e dalluar në historikun e shkollës sonë.”

Me këtë rast Z. Artan Minarolli, Drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe Prof. Asoc. Alfred Trebicka, Regjisor dhe pedagog në Fakultetin e Artit Skenik në Universitetin e Arteve, paraqitën mendimet e tyre në cilësinë e relatorëve për dhënien e titullit "Doctor Honoris Causa" zotit Claudio Gubitosi.

Në marrjen e titullit Z. Gubitosi mbajti një fjalim të shkurtër ku shprehu nderin dhe kënaqësinë në marrjen e titullit të nderit “Doctor Honoris Causa”.

Kjo ceremoni u zhvillua në prani të anëtarëve të Senatit Akademik, të studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Arteve si dhe në prani të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, Z. Myqerem Tafaj, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi dhe Ministres së Integrimit Znj. Majlinda Bregu.

 


Foto Galeri