<

Seminar Tempus

Në datë 14 Dhjetor, në Universitetin e Arteve u organizua seminari kombëtar me temë “Çështje të etikës në veprimtaritë shkencore”. Ky seminar u organizua nga zyra Tempus në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike, për reformat e Arsimit të Lartë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, Drejtori i QSA, Z Ardian Marashi, Drejtori i AKTI-t Z.Ylli Pango, si dhe studiues shkencor dhe përfaqësues të universiteteve shqiptare publike dhe jo-publike.

Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, mbajti fjalën e hapjes ku falënderoi zyrën Tempus si organizatori kryesor dhe të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm për botën akademike ku siç u shpreh ai “Arritja e standartit të lartë të etikës siguron reflektimin e vlerave në kërkim dhe ndikon ndjeshëm në zhvillimin e shoqërisë.”

Në fjalën e tij, Ministrit Tafaj falënderoi organizatorët dhe e çmoi shumë të rëndësishme këtë konferencë, duke dëshmuar se reformat kanë sjellë ndryshime për t’u dhënë mundësi njerëzve të kenë më të lehtë dhe më cilësore karrierën e tyre.

Ministri Tafaj përfitoi nga rasti për t’u rikujtuar dhe për të ftuar drejtues të universiteteve, profesorët, pedagogët, për aplikimet në programin TEMPUS, i cili do të ketë një thirrje jo vetëm për vitin 2013, por edhe për vitin 2014 dhe afati i dorëzimit të projekteve është shtyrë deri ne fund të marsit.
“Prioritetet tona janë që ne presim projekte cilësore së pari në mësuesi dhe ju ftoj të nxitojmë për të gjetur partnerët dhe për të aplikuar me programe për reformën universitare të përgatitjes dhe trajnimit të mësuesve.”- u shpreh ai.

Temat për të cilat u referua dhe u diskutua mund t’i gjeni më poshtë:

  • “Etika akademike në studimet e gjuhësisë” - Prezantim nga Prof. Kolec Topalli
  • “Koncepte dhe parime themelore të etikës në kërkimin shkencor” - Prezantim nga Prof. Gjergji Pendavinji
  • “Besueshmëria dhe besnikëria e metodave të mbledhjes dhe analizës së informacionit” - Prezantim nga Prof.Aleksandër Xhuvani
  • “Si mund të parandalojmë shkeljet e etikës në veprimtaritë akademike” - Prezantim nga Prof. Evan Rroco
  • Prezantimi i Thirrjes së re për projektet Tempus nga Znj.Edit Dibra, Koordinatorja Kombëtare e Zyrës Tempus.
     

Foto Galeri