Vizita zyrtare
Në datat 25 deri 27 Shtator 2013 Rektori i Universitetit te Arteve, Prof. Petrit Malaj, dhe Zv. Rektori, Prof. Arben LLozi, zhvilluan një vizitë pune në Budapest me ftesë të Rektorit të Akademisë së Muzikës Liszt (Zeneakadémia), Prof. András Batta, e organizuar nga Ministria e Jashtme e Hungarisë.
Gjatë vizitës dy ditore, u zhvillua një aktivitet i ngjeshur me takime dhe vizita ku do të veçoheshin:
Takim me Znj Andrea Komáromy- Drejtoreshë e Departamentit të Kulturës dhe Shkencës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë si dhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie ku u diskutua edhe për projektin e bashkëpunimit që Universiteti ynë ka me Grupin e Vishegradit 4.
Takim me Prof. András Batta – Rektor i Akademisë së Muzikës Liszt dhe drejtoreshën e marrdhënieve me jashtë dhe zhvillimin, znj. Beata Furka.
(Akademia Liszt është themeluar më 14 Nëntor 1875 nga kompozitori dhe pianisti i shquar Ferenc Liszt. Në këtë akademi kanë studiuar personalitete të artit europian e botëror si: Béla Bartók, Éva Marton, David Popper, Georg Solti, György Ligeti, Zoltán Kodály, György Kurtág, etj.
Ky takim u finalizua me arritjen e një “Marrëveshje Bashkëpunimi” midis dy institucioneve tona. Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, dhe Rektori i Akademisë së Muzikës Liszt, Prof. András Batta. Pjesë të rëndësishme të kësaj marrëveshje janë:
- projektet e përbashkëta artistike e shkencore;
- mobiliteti i studentëve dhe pedagogëve;
- shkëmbimi i informacionit dhe organizimi i seminareve, konferencave dhe workshop-eve etj.
Takim në Universitetin e Teatrit, Filmit Artistik e Televizionit (Színház- és Filmművészeti Egyetem) me Rektorin Tamás Ascher dhe Zv.Rektorin Hegedűs D. Géza (dy personalitete të artit skenik). Pas një shkëmbimi të frytshëm mendimesh dhe idesh, u ra dakort që të shikohet mundësia e bashkëpunimit midis dy Universiteteve në fushën e teatrit dhe filmit. (Vlen të theksohet se Universiteti i Teatrit dhe Filmit Artistik në 2 Janar 2015, do të festojë 150-vjetorin e krijimit të tij.)
U zhvilluan disa takime me profesorë të Akademisë Liszt dhe të Institutit Pedagogjik të Muzikës Zoltán Kodály, si Prof. Márta Gulyás, Agnes Gergely, László dhe Péter Bársony si dhe me Profesorin e Kompozicionit Horváth Balázs.
Me Horváth Balázs u bisedua edhe për projektin e përbashkët që Universiteti i Arteve ka në kuadrin e Vishegrad 4, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Hungareze, Ambasadës Hungareze në Tiranë dhe ambasadorit të saj. (Ky projekt do të realizohet nga 22-25 Nëntor 2013 në Universitetin e Arteve me artistë të rinj nga vendet e Vishegradit dhe do të shoqërohet me Workshop për studentët e kompozicionit pjesët e të cilëve do të interpretohen nga artistët e huaj që marrin pjesë në këtë event.)
Disa prej rezultateve më të rëndësishme të kësaj vizite në Budapest janë:
- Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Arteve Tiranë dhe Akademisë Muzikore Liszt Budapest;
- Bisedimet në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë për realizimin e projektit të përbashkët në kuadrin e Grupit të Vishegradit 4, si dhe zgjerimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi;
- Hedhja e bazave për fillimin e bashkëpunimit me Universitetin e Teatrit, Filmit Artistik e Televizionit Budapest;
- Shkëmbimi i eksperiencave me profesorë të institucioneve artistike arsimore në Budapest, për strukturat dhe sistemin e mësimdhënies dhe për pasurimin e tyre duke siguruar informacione të vlefshme nga një shkollë e rëndësishme europiane.
Foto Galeri