<

Erasmus+

Pershendetje,
 

Zyra Tempus bëhet Zyra Erasmus+

Pas përfundimit të programit Tempus, Shqipëria do të marrë pjesë në programin e ri të BE-së, Erasmus+ i cili mbështetet në tre shtylla kryesore: 1. Mobilitetet 2. Ngritja e Kapaciteteve 3. Mbështetja e politikave.

Duke filluar nga muaji janar 2014, Komisioni Evropian vendosi që Zyrat Kombëtare Tempus të shndërrohen në Zyrat Kombëtare Erasmus+. Ato do të vazhdojnë të kryejnë të njëjtat funksione dhe detyra si për programin Tempus, por duke e zgjeruar fokusin e tyre dhe në programe të tjera të Arsimit të Lartë ku Shqipëria është e lejuar të aplikojë.
Zyra kombëtare Erasmus+ do të vazhdojë të asistojë Komisionin Evropian për promovimin e Programit Erasmus+ pranë të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL), do të kryejë monitorimin e projekteve Tempus që janë aktualisht duke u zbatuar, do të marrë pjesë në vlerësimin e projekteve që do të paraqiten për ngritjen e kapaciteteve në Erasmus+, do të koordinojë aktivitetet e grupit kombëtar të Ekspertëve për Reformat e Arsimit të Lartë, HERE (Higher Education Reform Experts), etj.

Zyrat Erasmus+ funksionojnë në mënyrë autonome duke përfaqësuar interesat e Komisionit Evropian në vendet ku ato operojnë.
 

Nga Tempus-i drejt Erasmus+, programet ku Shqipëria lejohet të aplikojë

Zyra Kombëtare Erasmus+ është e ngarkuar vetëm me promovimin e komponentëve të Arsimit të Lartë të programit Erasmus+, të cilët janë si vijon për Shqipërinë:

Key Action 1:

  • Shkëmbimet afatshkurtra (Credit mobility) (Thirrja nuk është publikuar akoma)
  • Shkëmbimet për cikle të plota studimi (Degree mobility through joint master degrees)
  • Aktualisht, thirrja është hapur vetëm për krijimin e konsorciumeve që ofrojnë Joint Master Degree. Afati i fundit është 27 mars 2014.
    Konsorciumet që ofrojnë Joint Master Degree mund të koordinohen vetëm nga universitetet e BE-së. Universitetet e vendeve Partnere, ku bën pjesë dhe Shqipëria, mund të aplikojnë si partnerë dhe do të pranohen vetëm nëse përfaqësojnë një vlerë të shtuar në konsorcium. Preferohen të aplikojnë si partnerë vetëm universitete që ofrojnë kurrikula të nivelit Master në gjuhën angleze. (Për me tëpër, shihni https://eacea.ec.europa.eu/taxonomy/term/286 )

Key Action 2:

  • Ngritja e kapaciteteve që përfshin shkëmbime për Ballkanin Perëndimor (Capacity Building action) (Ish-Tempus) (Thirrja nuk është publikuar akoma)
    ‘Ngritja e kapaciteteve” është pasardhësi i programit Tempus brenda Erasmus +. Thirrja për këtë program pritet të hapet në muajin maj ose në muajin shtator 2014. Universitetet shqiptare do të gëzojnë mundësi të panumërta për të përfituar nga ky program. Gjithashtu, është pozitiv fakti që projektet për “Ngritjen e kapaciteteve do të përmbajnë një komponent shkëmbimesh për Shqipërinë (për studentët 3-12 muaj, praktika 2-12 muaj, për stafin akademik dhe administrativ 5 ditë deri në 2 muaj). Gama e vendeve me të cilat IAL-të shqiptare mund të lidhin partneritete në kuadër të “Ngritjes së kapaciteteve” rritet nga 55 shtete në Tempus në 150 shtete në Erasmus+. Sapo Komisioni Evropian të marrë vendimin për publikimin e thirrjes, Zyra Erasmus+ do të ndërmarrë një fushatë promovuese intensive në të gjitha IAL-të shqiptare.
     
  • Aleancat e Dijes dhe Partneritetet strategjike (Knowledge Alliances and Strategic Partnerships)
    Ky aktivitet ka në qendër bashkëpunimin e ndërmarrjeve me universitete dhe organizata të ndryshme, por edhe në këtë rast, përzgjedhja për vendet partnere, ku bën pjesë dhe Shqipëria, do të jetë shumë e kufizuar. Thirrja është publikuar dhe afati i fundit është 3 prill 2014.
     
  • Programi Jean Monnet
    Ky program mbështet thellimin e njohurive rreth çështjeve të Integrimit Evropian, promovon mësimdhënien dhe kërkimin për historinë, politikat, ekonominë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Aplikimi në programin Jean Monnet është i hapur për të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë dhe për të gjitha disiplinat që kanë pikë-prerje me fushën e Integrimit Evropian. Ky aplikim ka një procedurë të thjeshtë dhe bëhet në bazë institucioni. Ai nuk kërkon detyrimisht krijimin e partneriteve me IAL –të tjera. Universitetet shqiptare mund të aplikojnë për Modulet Jean Monnet (bëhet fjalë për kurse afatshkurtra në fushën e Integrimit Evropian me një minimum prej 40 orësh mësimi për një vit akademik), për Poste Lektorësh Jean Monnet (Bëhet fjalë për poste lektorësh të specializuar në fushën e studimeve të Integrimit Evropian me një minimum prej 90 orë mësimi për një vit akademik) ose për Projektet Jean Monnet (aktivitete promovimi për problematikat e Integrimit Evropian, programe trajnimi, etj.)
    Afati i fundit për aplikim është data 26 mars 2014. (https://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus/funding/jean-monnet-eacs1113_en )


Ç’është kodi PIC?

Duke filluar nga viti 2014, çdo universitet, ministri, shoqatë apo OJQ që aplikon për Erasmus+ duhet të ketë kodin PIC (Participant Identification Code). Asnjë institucion s’do të ketë mundësi të aplikojë në Erasmus+ nëse nuk ka marrë kodin PIC.

Rektorët e IAL-ve (Ministrat në rastin e Ministrive) duhet të caktojnë një përfaqësues i cili do të plotësojë të dhënat e institucionit për marrjen e kodit PIC. Ky përfaqësues, që do të jetë dhe administratori i PIC-ut, do të bëjë hedhjen e të dhënave me përgjegjësi të plotë institucionale pasi ky kod është i vlefshëm për të gjitha aplikimet e mëtejshme në programet e BE-së. Marrja e kodit jo vetëm mundëson pjesëmarrjen në aplikime, por dhe e lehtëson atë: në momentin që një pedagog fut kodin PIC, ai nuk ka më nevojë të plotësojë nga e para të dhënat e universitetit që përfaqëson. Rektorët duhet të pajisin me kodin PIC të gjithë pedagogët e interesuar për të aplikuar në projektet Erasmus +. Për me tepër vizitoni (https://ec.europa.eu/education/participants/portal)


Çështje të reja për projektet Tempus në zbatim e sipër

Rregulli i origjinës për pajisjet:

Të gjitha pajisjet që do të blihen për projektet Tempus të shpallura fituese gjatë Thirrjes së Gjashtë (viti 2013) duhet të jenë të prodhuara në vendet e BE-së, të Ballkanit Perëndimor dhe në disa vende që do t’i gjeni në linkun në vijim, te FAQ, pyetja nr 51. Nuk është më e lejueshme të blihen pajisje të bëra në vende jashtë listës së mëposhtme si në Kinë, SHBA, Japoni, etj. http://eacea.ec.europa.eu/tempus/beneficiaries/tempus4-2013/faqs-2013---6th-call--en-final.pdf


Rikujtesë: përjashtimi nga TVSH-ja

Në zbatim të nenit 26 pika (b) të ligjit nr. 9840, dt 10.12.2007 “Për ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në kuadër të Instrumentit të parazgjerimit IPA” pajisjet që blihen në kuadër të programit Tempus përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.


Për çdo paqartësi ju lutem kontaktoni në Zyrën Erasmus+ (ish-Zyra Tempus).

Për më tepër informacion vizitoni faqen http://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus_en