<

Mbledhja e Komitetit Drejtues te projektit arTVision

Në datat 27 dhe 28 Shkurt në Tiranë (Ministria e Kulturës, Salla “Tefta Tashko Koço”), u mbajt Mbledhja e Dytë e Komitetit Drejtues të Projektit “ArTVision – A Live Art Channel” , organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Projekti, i bashkëfinancuar nga Programi për Bashkëpunimin Ndërkufitar 'IPA-Adriatika 2007-2013', është fryt i një partneriteti të udhëhequr nga Qarku i Pulja-s – Zyra për Politikat për Promovimin e Territorit, Dijeve dhe Talenteve. Partnerët janë:

Fondacioni "Pino Pascali" Muze i Artit Bashkëkohor; Qarku i Veneto-s – Drejtoria për Veprimtaritë Kulturore dhe Spektaklin; Akademia e Arteve të Bukura e Venecia-s; Ministria e Kulturës se Malit të Zi; Fakulteti i Arteve Dramatike i Cetinje-s (Mali i Zi); Ministria e Kulturës e Shqipërisë; Universiteti i Arteve Tiranë – Shqipëri; "Kanal RI" – TV kroat; Konteja Bregdetare-Malore (Kroaci).
Janë partnerë të anëtarësuar: Euronews; Artribune; Servizi italiani.net S.r.l.; Radio Televizioni i Malit të Zi; RTV Ora News (TV shqiptar).

Punimet e ditës së parë u përshëndetën nga Znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre Shqiptare e Kulturës, Prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve, Tiranë dhe nga Z. Francesco Palumbo, Drejtor i Zyrës për Politikat për Promovimin e Territorit, Dijeve dhe Talenteve në Qarkun e Pulja-s, Partner Kryesor, dhe vazhduan me diskutime të partnerëve të ndryshëm që synojnë bashkëndarjen e objektivave dhe të veprimeve të projektit.

ArTVision është një projekt që ka si përparësi strategjike novacionin në komunikimin kulturor ndëraktiv dhe ndër-institucional ndër gjithë vendet e Adriatikut dhe ato evropiane. Objektivi është t’u japë vizibilitet më të madh veprave të realizuara në nivel lokal dhe që karakterizohen nga një vlerë e lartë komunikuese në nivel ndërkombëtar, për t’i bërë ato të aksesueshme për një publik të gjerë.

Risia qëndron në ftesën për bashkëpunim ndërkufitar që synon krijimin e një kanali tematik transmedial në gjendje të ofrojë përmbajtje kulturore me origjinalitet dhe cilësi të lartë për gjithë gamën e arteve pamore bashkëkohore. Një kanal që do të shfrytëzonte rrjetet e komunikimit dhe infrastrukturat e mediave ekzistuese në vendet partnere dhe që do bënte të mundur ndjekjen pa pagesë të prodhimeve audiovizive të projektit.

Për Universitetin e Arteve në Tiranë ky projekt është i një rëndësie të veçantë, siç u shpreh dhe Rektori Malaj në fjalën e tij:

Përmes projektit arTVision, Universiteti i Arteve jo vetëm konfirmon dëshirën dhe mundësinë për të qenë pjesë integrale e zhvillimeve të bashkëpunimeve në kuadër të programit IPA CBC, por ofron edhe kapacitetet e tij njerëzore në të tre Fakultetet e tij, atë të Muzikës, Arteve Pamore dhe Arteve Skenike, për të qenë një nga bashkëbiseduesit më të vëmendshëm dhe operativë si në drejtim të hartimit, organizimit apo bashkëprodhimeve kulturore të artit tradicional apo bashkëkohor, ashtu edhe në funksion të konsulencës dhe asistencës për institucione publike apo private dhe organizma të tjerë aktivë në fushën e kulturës dhe arteve, në të dy anët e Adriatikut.

Specifikisht, u ra dakort që deri në përfundim të projektit, Mars 2014, do të realizohen:

  • 150 produkte audiovizuale origjinalë, të krijuara nga 5 trupat televizive që do të operojnë në secilin shtet partner;
  • 15 prodhime audiovizuale origjinale të prodhuara nga të rinj profesionistë;
  • 5 “Light residence”, rezidenca artistike të cilat do të përfshijnë 30 artistë studentë të Akademive, nga shtetet partnere, të cilat do të realizojnë 5 “art show” të mbështetura nga 5 artistë me famë ndërkombëtare;
  • Disa evente të artit bashkëkohor dhe ekspozita “Art in port” në qytetet portuale të Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, Rajonit të Pulja-s dhe Rajonit të Veneto-s (artistë të përzgjedhur nga secili partner);

Objektivi kryesor i projektit "artVision" është mbështetja dhe promovimi i artit bashkëkohor përmes përdorimit strategjik të komunikimit dhe punës në rrjet ndërkufitar. Arti bashkëkohor shqiptar do të pasqyrohet përmes produkteve audiovizuale që do të realizohen enkas për këtë projekt dhe në ndryshim nga shfaqjet live gëzojnë përparësitë e komunikimit specifik dhe për një kohë të pakufizuar me publikun e tyre.

 
Foto Galeri