<

Projekti ArTVision

Universiteti i Arteve të Tiranës, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Festivalin e Librit dhe të Artit Pamor, organizon një komunikim me mediat për të promovuar projektin ArTVision, A Live Art Channel, ditën e Premte, datë 25 Prill 2014, ora 17.00, pranë stendës me të njëjtin emër në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Për të pranishmit do të organizohet nje panel komunikmi interaktiv me drejtues të projektit, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Integrimit, artistë të Universitetit të Arteve, të rrethuar nga produktet audiovizuale të prodhuara në kuadër të jetës së gjallë akademike e produktive artistike të fakulteteve të Universitetit të Arteve.

ArTVision - A Live Art Channel, i financuar në kuadër të Programit IPA Adriatic Crossborder 2007-2013 vendos për herë të parë Universitetin e Arteve të Tiranës me tre fakultetet e tij dhe artistët që ia identifikojnë profilin në auditorë, galeri artesh apo salla koncertesh, në Shqipëri dhe jashtë saj, në një partneritet multidimensional kulturor, gjeografik, institucional apo edhe teknik.

Së bashku me Ministrinë e Kulturës, partnership-i i kryesuar nga Rajoni i Puglia-s shtrihet në Itali me Fondacionin Museo d’Arte Contemporanea “Pino Pascali” (partner teknik), Rajonin e Veneto-s (partner institucional), Accademia delle Belle Arti di Venezia (partner teknik); në Kroaci me Qarkun e Primorje Gorski Kotar (partner institucional) dhe Kanal R (partner teknik); në Mal të Zi me Ministrinë e Kulturës (partner institucional) dhe Fakultetin e Artit Dramatik (partner teknik).
I nisur në fundvjeshtën e 2012, Projekti ArTVision në vetvete është një platformë komunikimi për artin bashkëkohor përmes përdorimit të një sistemi shpërndarës e komunikimi trans-medial, i cili përfshin formate e linja editoriale të përcaktuara në bashkëpunim të ngushtë e të ndërsjelltë mes të gjithë partnerëve, me qëllim pasqyrimin dhe promovimin e produksioneve audiovizuale të prodhuara përgjatë jetës së projektit.

Një nga pikat e forta të këtij projekti është pjesëmarrja e artistëve të rinj në produksionet e cituara më lart, si dhe përfshirja e tyre në punën reale të figurave të ndryshme profesionale që lidhen me botën e produkteve audiovizuale.

 

Krijimtaria artistike bashkëkohore e artistëve shqiptarë do të gjejë një audiencë më të zgjeruar e e vizibilitet më cilësor përmes këtyre produkteve audiovizuale në një rrjet televizionesh, web-tv, festivalesh, ekspozitash, rezidenca artistike etj. në hapësirën e vendeve që përfshin projekti, jo vetëm atyre që inkuadrohen në programin IPA ADRIATIC CROSSBORDER, por edhe për një publik më të gjerë, falë përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit si dhe të rrjeteve sociale.

Në këtë këndvështrim, pjesëmarrja e projektit ArTVision - A Live Art Channel në Edicionin e partë të Festivalit të Librit dhe Artit përbën një koherencë idesh dhe efikasitet në shfrytëzimin e sinergjive të krijuara përmes këtij kanali transmedial të komunikimit me publikun. 

Universiteti i Arteve nuk mund të mos e kapte këtë sinjal të privilegjuar të kontaktit me audiencën specifike të librit dhe artit në veçanti, apo kulturës dhe gjuhës komunikative artistike në tërësinë e saj.