Piano dhurate
Universitetit të Arteve i dhurohet një piano koncertale "Yamaha C7X".
Kjo piano profesionale është fryt i iniciativës së një grupi pedagogësh të Fakultetit të Muzikës të drejtuar nga profesoresha e pianos, Merita Rexha Tërshana, për të pajisur Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve me një piano koncertale, e cila të përmbushte parametrat profesionalë për muzikantët profesionistë në një prej sallave më të mira në Shqipëri.
Falë edhe sensibilizimit në media dhe në rrjetet sociale, kjo ndërmarrje vullnetare, u mbështet masivisht nga artistë shqiptarë që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, artdashës, si dhe institucione dhe biznese private. Po ashtu, profesionistë të fushave të ndryshme, pensionistë e nxënës të shkollave të muzikës, dhanë mbështetjen e tyre në realizimin e kësaj ndërmarrje.
Numri i kontribuesve në total arriti 330, gjë që na bën të ndjehemi mirënjohës karshi tyre, por gjithashtu na rrit detyrimin dhe angazhimin për të dhuruar më shumë emocione.