<

Vizita e Ambasadorit Francez ne UART

Më 09 Mars 2015, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit MALAJ, priti për një vizitë zyrtare Ambasadorin e Republikës Franceze në Shqipëri, SH.S.Z. Bernard FITOUSSI.

Rektori Malaj e falenderoi Ambasadorin për vizitën në Universitetin e Arteve, duke nënvijëzuar faktin e marrëdhënieve shumë të mira ndër vite me bashkëpunime të shumta mes Ambasadës Franceze dhe Universitetit të Arteve.
Gjithashtu Rektori falënderoi ambasadorin lidhur me një projekt të fundit, ku Ambasada Franceze dhuroi për Bibliotekën Shkencore të UART një numër të konsiderueshëm librash, revistash e albumesh, kryesisht për artet e bukura dhe skenografinë.

Në takim Ambasadori FITOUSSI, shprehu falenderimet për pritjen nga Rektori i UART, Prof. Malaj, dhe predispozitën e shtetit Francez për bashkëpunime të tjera në të ardhmen, konkretisht mbi aktivitetet në kuadër të Frankofonisë por dhe të disa projekteve të tjera që kanë të bëjnë me artet e bukura, artet dramatike dhe të Muzikës.

Zoti Ambasador premtoi se shumë shpejt do të mbështesë një vizitë të një delegacioni të UART në disa shkolla të artit në Francë, me qëllim njohjen nga afër të përvojës franceze në organizimin dhe funksionimin e këtyre shkollave.
Gjithashtu SH.S.Z. Bernard FITOUSSI, mbështeti kërkesën e Rektorit të UART për disa abonime në revista të ndryshme në fushat e muzikës, dramës, filmit e arteve të bukura.

Në fund rektori Malaj e shoqëroi ambasadorin FITOUSSI dhe e njohu nga afër me ambjentet e Universitetit të Arteve si dhe Bibliotekën e UART.


Foto Galeri