Projekti NE©XT Accelerator
Më datë 17 Qershor 2015, në kuadër të projektit NE©XT Accelerator, projekt i propozuar nga ELIA, Shoqata Europiane e Instituteve të Artit dhe i financuar nga Komisioni Europian, ku pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit UART është partner i këtij projekti, Rektori dhe Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura morën pjesë në mbledhjen e inaugurimit dhe prezantimit të projektit pas aprovimit nga KE, eveniment i cili u organizua në qytetin e Bazelit në Zvicër.
Pas prezantimit të detajuar të projektit, partnerët pjesëmarrës patën mundësinë të prezantonin shkurtimisht institucionet që ata përfaqësonin si dhe vizionin e tyre lidhur me projektin në fjalë.
Rektori, prof. Malaj shprehu mirënjohjen për mundësinë e dhënë dhe besimin se ky projekt do të ishte një bashkëpunim i shkëlqyer në tre vitet e ardhshme si dhe një mundësi e artë për studentët e Universitetit të Arteve në zhvillimin, trajnimin dhe promovimin e tyre si artist të rinj.
Gjithashtu Prof. Petrit Malaj shprehu bindjen se ky projekt do të jetë një promovues i sektorëve kulturore lokale, nacionale dhe evropiane si një faktor zhvillimor ekonomik dhe social.
Dekani i FAB prof. Asoc. Artan Peqini dha një përshkrim të shkurtër të UART, fakulteteve që ky universitet ka, mënyrës së organizimit, kapaciteteve që mbulon lidhur me stafin akademik, administrativ si dhe numrin e studentëve për vit akademik, gjithashtu dhe bashkëpunimeve që deri më tani UART ka me institucione dhe universitete të artit në Ballkan, Europë dhe më gjerë.
Disa prej pikave që ky projekt ka në fokusin e tij:
- Mundësimin dhe krijimin e rrugëve hyrëse transnaksionale (përtej kufijve) për zhvillimin e karrierës së artistëve të talentuar në zhvillim, duke u lejuar atyre të përfitojnë nga prodhimi i tyre krijuese;
- Krijimin e mobiliteteve (shkëmbimeve) përtej kufijve, trajnimin për zhvillimin e karrierës dhe mundësimin e të studiuarit për të diplomuarit në arte, për edukatorë të artit dhe drejtuesve;
- Krijimi i lidhjeve të artistëve të rinj me sektorët kulturore dhe krijuese si dhe bizneset;
- Nxitjen e sektorëve kulturor dhe krijues lokal, kombëtar dhe evropian si një faktor në zhvillimin dhe inovacionin ekonomik dhe social.