Ndahet nga jeta piktori Pandi Mele
Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, piktori Pandi Mele.
Universiteti i Arteve bashkohet me dhimbjen e familjarëve, miqve e artistëve duke shprehur ngushëllimet e sinqerta për humbjen e artistit, i cili la një trashëgimi të çmuar në historinë e artit pamor shqiptar.
Pandi Mele ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog i grafikës në Ish- Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, sot Universiteti i Arteve, duke drejtuar për shumë vite atelienë e grafikës.
---------------------------------
Pandi Mele ekspozoi për herë të parë në moshën 17 vjeçare “Porteti i gjyshes” (1956, GKA,Tiranë).
Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964 (GKA, Tiranë); serinë grafike “Shtypi i partisë” 1984; cikli “Rozafa”, 1999, studio artistit).
Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli, duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera (litografi, akuaforte, gdhëndje në dru). Me veprën e tij Pandi Mele ndikoi dukshëm në realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë ashtu dhe në konceptimin e saj.
Piktori Pandi Mele është autor i shumë posterave, emblemave, pulla postare, apo ilustrime të ndryshme nga shkrimtarët shqiptarë. Në pikturë ai ka realizuar tablo kompozicionale me temën e jetës shqiptare të periudhës së socializmit.
Mele ka qënë pjesëmarrës në ekspozitat jashtë Shqipërisë deri në vitet 1990, si Greqi, Kosovë, Jugosllavi, Rumani, Turqi, Itali, Francë, Austri, Bienale - Egjypt, Kinë. Mele ishte i ftuar në Bienalet dhe Trienalet Ndërkombëtare të grafikës nga viti 1989 – 1999 në Europë dhe Lindjen e Largët. Ai është gjithashtu autor i shumë artikujve në shtypin e kohës mbi zhvillimin e grafikës, dizajnit dhe artve figurative shqiptare.
Në fondin e Galerisë Kombëtare të arteve ruhet një koleksion prej 54 veprash në pikturë, grafikë e vizatim.
Pandi Mele mban titullin ”Piktor i Merituar”.
Burimi: Galeria Kombetare e Arteve