<

Rikonstruksioni i Sallës së Koncerteve

Sot, më datë 15.02.2021, në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve u nënshkrua marrëveshja e bashkëfinancimit për restaurimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e Sallës së Koncerteve të Universitetit të Arteve midis TAP, Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Arteve.

Marrëveshja u nënshkrua nga Z. Malfor Nuri (Drejtor Vendi për TAP në Shqipëri), Znj. Elva Margariti (Ministre e Kulturës) dhe Prof. Kastriot Çaushi (Rektor i Universitetit të Arteve).

Godina e Universitetit të Arteve është ndërtuar në vitin 1942. Ajo është projektuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio dhe konsiderohet si pikë referimi për arkitekturën shqiptare të periudhës së mes shekullit të 20-të. Kjo godinë, gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë II dhe si rrjedhojë mbrohet me ligj.

Projekti i rikonstruksionit bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës dhe TAP në cilësinë e bashkëfinancuesve të projektit, Universitetin e Arteve, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Cooperazione Italiana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences.

Duke marrë parasysh statusin e veçantë të godinës, rinovimi i Sallës së Madhe kërkon kujdes dhe ekspertizë të veçantë teknike. Universiteti i Firences, i cili ka përvojë të konsiderueshme në restaurimin e godinave historike dhe objekteve të artit, ka kryer tashmë një studim lidhur me qasjen e konservimit dhe do të vijojë të monitorojë dhe të mbështesë zbatimin e këtij projekti.

Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundohen brenda prillit të vitit 2022.