Takime mbi akreditimin e programeve të studimit
Universiteti i Arteve ka nisur procesin e vlerësimit të brendshëm të cilësisë në kuadër të akreditimit të programeve të studimit që ky Institucion ofron, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Akreditimi programeve të studimit është procesi i certifikimit të cilësisë bazuar në standardet e shtetit Shqiptar dhe në standardet Europiane.
Në kuadër të këtij procesi, Zv. Rektori për anën mësimore, Prof. Dr. Erald Bakalli së bashku me Përgjegjësen e Sektorit Mësimor në UART, Znj. Suela Kromidha, në datat 9, 10 dhe 11 Maj, zhvilluan disa takime në ambjentet e UART me grupet e punës të ngritura nga të treja Fakultetet, të përbëra nga stafi akademik dhe studentë.
Në fjalën e tyre, Z. Bakalli dhe Znj. Kromidha vunë theksin në rëndësinë ky proces ka për Universitetin e Arteve. Znj. Kromidha zhvilloi një prezantim informues mbi përmbajtjen e model-raportit i cili do të hartohet nga Grupet e Punës për secilin program studimi dhe trajtimin e çështjeve në të.
Të pranishëm në këto takime ishin edhe Sekretaritë Mësimore të Fakulteteve së bashku me Grupin e Punës të ngritur në nivel Rektorati, të cilët u njohën edhe njëherë me rëndësinë e procesit dhe me masat që do të ndërmerren.
Akreditimi i programeve të studimit do të trajtohet me rigorozitet dhe do të realizohet me përgjegjshmëri të lartë, pasi ky proces qëndron në thelb të sigurimit të studentëve të Universitetit të Arteve mbi cilësinë dhe standardet e arsimimit të tyre, konform legjislacionit Shqiptar dhe standardeve Evropiane.