Memorandum Mirëkuptimi

Një Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua nga Universiteti i Arteve dhe Rrjeti Akademik Shqiptar, duke shënuar kështu fillimin dhe forcimin e bashkëpunimit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar, në kuadër të rekomandimit mbi “Shkencën e Hapur”, miratuar unanimisht nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në sesionin e saj të 41-të në Nëntor 2022.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua më datë 16 Shkurt 2023, me përfaqësues Rektorin e Universitetit të Arteve Prof. Kastriot Çaushi dhe Kryetarin e Rrjetit Akademik Shqiptar, Dr. Arjan Xhelaj.

Ky memorandum konsiston në qasjen e barabartë në informacionin shkencor dhe në ndarjen e njohurive shkencore, të dhënave dhe protokolleve brenda dhe jashtë komunitetit të kërkuesve shkencor. Rekomandimi për përqafimin dhe aplikimin e shkencës së hapur fuqizon potencialin transformues të shkencës për reduktimin e pabarazive ekzistuese në shkencë, teknologji dhe inovacion.

Bashkëpunimi ndërmjet UART dhe RASH do të bazohet mbi disa parime udhëzuese për shkencën e hapur të tilla si:

  • Promovimi i një kuptimi të përbashkët të shkencës së hapur, përfitimeve, sfidave, si dhe rrugët e ndryshme drejt shkencës së hapur;
  • Zhvillimi i një mjedisi politikash të favorshme për shkencën e hapur;
  • Investimi në infrastrukturë dhe shërbime që kontribuojnë në shkencën e hapur;
  • Investimi në trajnime arsimim, shkrim-lexim digjital dhe ngritjen e kapaciteteve, për t’u mundësuar studiuesve dhe palëve të tjera të interesuara të marrin pjesë në shkencën e hapur;
  • Nxitja e një kulture të shkencës së hapur dhe përafrimi i stimujve për shkencën e hapur;
  • Publikimin e të dhënave të hapura;
  • Promovimin e qasjeve novatore për aplikimin e shkencës së hapur në faza të ndryshme të procesit të kërkimit shkencor; dhe
  • Promovimin e bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar, dypalësh e shumëpalësh në kontekstin e shkencës së hapur me synimin për të reduktuar hendekun e njohurive digjitale dhe teknologjike.

Si një Institucion i Arsimit të Lartë në Shqipëri, edhe Universiteti i Arteve do të ketë qasjen e tij si një aktor kryesor i përfshirë në forcimin e bashkëpunimeve mbi aktivitetet e kërkimit shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar.


FOTO GALERI


<<Kthehu - Tjetra>>