<

Takime në kuadër të akreditimit, FM

Në kuadër të procesit të akreditimit të programeve, më datë 22-23 Nëntor u mbajtën takimet e para në Fakultetin e Muzikës për vlerësimin e programeve të studimit të ciklit të dytë, Master Profesional në “Kitarë dhe Mësuesi” dhe Master Profesional në “Fizarmonikë dhe Mësuesi”.

Takimet mes Grupit të Vlerësimit të Jashtëm dhe përfaqësuesve të Fakultetit për këto dy programe studimi u zhvilluan sipas agjendës së miratuar paraprakisht nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Grupi i Vlerësimit të Jashtëm i përbërë nga Prof. As. Valentina Haxhiymeri, Prof. As. Florinda Tarusha, Prof. As. Mariza Kërbizi dhe Prof. As. Robert Gjedia, zhvilluan takime me grupe të organizuara nga Fakulteti për këtë proces.

Takimin e parë me ekspertët e kanë mbajtur Dekani, Prof. Dr. Isak Shehu dhe Përgjegjësi i Departamentit të Interpretimit, Prof. Arben Llozi, duke vazhduar më tej me Grupet e Vlerësimit të Brendshëm, Stafin Akademik, studentët dhe struktura të tjera të rëndësishme në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Sipas agjendës, grupi i ekspertëve kreu disa vizita edhe në ambjentet ku zhvillohet procesi mësimor i këtyre programeve ku prekën më nga afër edhe specifikën e tyre, kjo edhe nëpërmjet disa pjesëve muzikore që studentë të kitarës dhe fizarmonikës performuan gjatë takimit.

Anëtarët e Grupit të Vlerësimit të Jashtëm shprehën falenderimet dhe vlerësimin e tyre për organizimin e bërë për këtë proces dhe theksuan se në Universitetin e Arteve ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm sa i përket këtij procesi, ndërkohë që Fakulteti i Muzikës vazhdon ende angazhimin dhe punën e tij në ndihmë të procesit të akreditimit për 18 programet e tjera të studimit të ciklit të dytë.


FOTO GALERI