<

In memoriam për Prof. Hamide Stringën

Prof. Hamide Stringa është një prej personaliteteve më të njohur të artit shqiptar në fushën e muzikës dhe muzikologjisë. Ajo lindi në Elbasan më 15 tetor të vitit 1932 dhe i përket brezit të dytë të muzikantëve shqiptarë që studiuan në ish - Bashkimin Sovjetik të tillë si Ç. Zadeja, A. Paparisto, P. Gaci, Dh. Leka, T. Daija, A. Mula, R. Teqja etj., të cilët janë disa prej emrave më në zë që lanë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar.

Si vazhduese e linjës së muzikanteve të shkolluara jashtë shtetit (Tefta Tashko Koço, Marie Kraja, Jorgjia Truja dhe Lola Gjoka) edhe Hamide Stringa së bashku me Dhora Lekën studiuan jashtë dhe i thyen barrierat e kohës, duke emancipuar në këtë mënyrë jo vetëm brezin e tyre, por duke u bërë në të njëjtën kohë një referencë edhe për vazhdimësinë.

Karriera e saj nisi fillimisht si soprano në TOB dhe, më pas, ajo i’u përkushtua thellësisht fushës së pedagogjisë vokale, historisë së muzikës dhe muzikologjisë.

Kështu, në vitin 1962 ajo ishte bashkëthemeluese e Konservatorit Shtetëror të Tiranës me figura si Ç. Zadeja, A. Paparisto, K. Trako, T. Daija, M. Kraja, L. Gjoka, M. Ciko, Y. Skënderi, M. Vako, Gj. Shestani etj., duke dhënë me përkushtim e profesionalizëm kontributin e saj në vite si pedagoge pranë këtij Konservatori (më pas Instituti i Lartë i Arteve, Akademia e Arteve dhe sot Universiteti i Arteve). Ndërsa si anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ajo mbuloi për një kohë të gjatë fushën e muzikës në këtë institucion qendror të kohës për artin dhe letërsinë.

Hamide Stringa ishte jo vetëm një personalitet me integritet, por dhe një zë i ndjeshëm në tryezat e diskutimeve krijuese të asaj kohe si dhe mjaft aktive me shkrimet e saj kritike dhe botimet e artikujve të ndryshëm studimorë. Por, më së shumti Prof. H. Stringa njihet dhe mbahet mend nga breza të tërë studentësh të Fakultetit të Muzikës (në UA) si pedagoge e historisë së muzikës për një kohë të gjatë, kontribut i cili u finalizua para viteve ‘90 edhe me botimet (leksione) në grup studiuesish të Historisë së Muzikës Shqiptare për shkollën e Lartë të Muzikës, ku padyshim Prof. H. Stringa kishte rolin e saj të padiskutueshëm në hartimin e tyre. Ajo ishte gjithashtu një njohëse ekselente e historisë së muzikës botërore dhe solli për studentët në vitet 2000 - 2001, katër volume të kësaj historie (që nga lashtësia, paraklasicizmi, klasicizmi e deri te romantizmi).

Si studiuese e muzikologjisë ajo ka sjellë për lexuesin në vitin 2002 edhe monografinë kushtuar pianistes së njohur shqiptare Lola Gjoka (Aleksi) - një personalitet shumëplanësh në historinë e artit tonë muzikor, që ka luajtur një rol themeltar në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të para artistike (si Liceut Artistik, Filarmonisë Shqiptare, TOB-it, Konservatorit Shtetëror), po ashtu në formimin e artistëve të rinj si dhe në aspektin krijues si përpunuese e këngëve tona popullore.

Edhe pas daljes në pension, vitaliteti i Prof. H. Stringës nuk rreshti në lidhje me pasionin e saj për pedagogjinë (duke veçuar këtu fushën e muzikologjisë) si pedagoge e ftuar e lëndës speciale të muzikologjisë në Fakultetin e Muzikës në Akademinë së Arteve (sot UA) dhe si oponente e shumë diplomave të studentëve në dhjetëvjeçarin e parë të viteve 2000.

Ndarja nga jeta më 13 shkurt të vitit 2023 e Prof. Hamide Stringës, kësaj zonje fisnike të muzikës shqiptare, është një dhimbje dhe humbje si për familjarët ashtu edhe për artin e muzikologjnë shqiptare, pasi figura të tilla kanë shënjuar me profesionalizmin e tyre panteonin e vlerave të vërteta të art-kulturës dhe shkencës sonë kombëtare.


Dr. Holta Sina Kilica
Muzikologe, pedagoge në Universitetin e Arteve, Tiranë


<<Kthehu - Tjetra>>