<

Takim - Akreditimi 2021

Me rastin e fillimit të vitit akademik 2021-2022 si dhe në kuadër të procesit të ri-akreditimit institucional, Zv. Rektori për anën mësimore, Prof. Dr. Erald Bakalli kreu rishtazi disa takime koordinuese me stafin administrativ të Universitetit të Arteve si dhe me një grup studentësh përfaqësues të Fakulteteve të UART.

Takimi kishte për qëllim koordinimin me stafin administrativ të UART mbi masat e marra për fillimin e vitit të ri akademik i cili këtë vit do të zhvillohet i gjithi në auditor dhe ftoi ata të mobilizohen në mbështetje të këtij procesi.

Gjithashtu në fjalën e tij Zv. Rektori vuri theksin në rëndësinë që ka procesi i ri-akreditimit si dhe informoi mbi përmbajtjen e raportit të hartuar nga Grupi i Vlerësimit të Brendshëm dhe trajnimin e problemeve në të.

Po në këtë kuadër u zhvilluan takime me studentët e Fakulteteve të Universitetit. Gjatë diskutimeve me studentët, ata u ftuan të jepnin mendime në lidhje me fillimin e procesit mësimor dhe infrastrukturën në mbështetje të këtij procesi. Në përmbyllje të takimit, një grup studentësh së bashku me dy Zv. Rektorët, Prof. Arian Paço dhe Prof. Dr. Erald Bakalli vizituan ambjentet e Fakulteteve.


Foto Galeri

 

<<KthehuTjetra>>